Personi në foto është Algert Alcani, 27-vjeçari i cili së bashku me të atin kërcënoi biznesmenin Eral Myftaraj që të tërhiqej nga tenderi, e këtë të fundit ta merrte i ati, Shaqir Alcani. I riu, vetëdeklaron se punon në Bashkinë e Tiranës si përgjegjës sektori. Këtë e reklamon me krenari edhe në rrjetet sociale.
Mirëpo, nuk dihet nëse aktualisht punon në Bashki, pasi emri i tij nuk figuron gjëkundi.
Siç shihet edhe në fotot e publikuara në Facebook, i riu bën jetë luksi e madje ka udhëtuar në shtete të ndryshme, si Dubai apo Monte Carlo.
Si ndodhi kërcënimi?
Myftaraj, që zotëron një kompani me zyrat qendrore në Cërrik fitoi një tender 1 milion eurosh për furnizimin me lëndë drusore në shkolla. Ai u kërcënua që të hiqte dorë, në të kundërt do t’i vrisnin anëtarët e familjes. Por, biznesmeni s’u tërhoq dhe bëri kallëzim në polici, pas të cilit ndodhën dhe arrestimet. Babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani dyshohet se janë organizatorët. Kjo pasi, Shaqir Alcani është pronar i ‘Alcani Sh.p.k’ që fitonte thuajse gjithë tenderat për lëndët drusore që jepeshin nga Bashkia Tiranë dhe këtë herë s’e kanë pranuar humbjen përballë Myftarajt.