Humbi të dyja këmbët në një atentat, sportisti Julian Çela rrëfen si i ndryshoi jeta: “Djali më pyet ku ishte Zoti kur ndodhi shpërthimi”

Julian Çela, sot themelues i Kombëtares Shqiptare të Futbollit të të Amputuarve, rrëfen periudhën e vështirë pas atentatit që iu bë drejtuesit të zyrës ku punonte. Ai humbi të dyja këmbët në këtë ngjarje të rëndë dhe në periudhën e vështirë që kaloi, i kërkoi bashkëshortes të largohej prej tij pasi nuk do të mund të ishte më i njëjti njeri si më parë. Por, ajo i qëndroi pranë në momentet më të vështira, duke i dhënë forcën e madhe që të fillojë të ecë sërish përmes protezave.

“Unë u nisa në punë dhe djali ka qenë 3 muajsh. Djalin dhe gruan i lashë në gjumë dhe kur ndodhi shpërthimi pashë që kisha humbur të dyja këmbët. Unë jam besimtar ungjillorë dhe i kërkova Zotit të më jepte kohë të jetoja sa të takoja djalin dhe gruan dhe të më merrte në gjirin e tij. Forcën nuk e gjeta te vetja, por te bashkëshortja. Ka qenë ajo që ka qenë forca ime. Ka qenë një moment që i kam thënë: ‘Largohu, nuk është Juli më ai i dikurshmi’. Ka thënë: ‘Juli ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim dhe do ta vijojmë bashkë deri sa vdekja të na ndajë’. Unë po shihja dhimbjen time, u bëra tip nevrik, por harrova dhe atë që kishte rënë tavani mbi kokë.”,- tha ai.

Gjithashtu ai ka rrëfyer edhe bisedën me të birin, pasi i shpjegoi arsyen e humbjes së 2 këmbëve. Një pyetje shumë naive dhe e drejtpërdrejtë i erdhi nga djali: “Ku ishte Zoti kur ndodhi shpërthimi që të mori këmbët?”

“Fëmijët vijnë më pyesin për protezat. Edhe unë ua sjell si lojë fëmijëve, u them që jam një robot. Djali im e ka kuptuar vetvetiu, dhe realisht nuk i bën përshtypje, ka mësuar si ndodhi shpërthimi dhe gjithçka. Edhe kur e pyesin të tjerët ua shpjegon që babai nuk i ka gjymtyrët për shkak të një shpërthimi. Unë ia kam shpjeguar dhe shpeshherë më pyet ku ishte zoti kur ndodhi shpërthimi dhe unë i them që aty ishte, pasi nëse nuk do të ishte Zoti atëherë unë nuk do të isha këtu me ty.”-përfundoi ai./ Euronews.al

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *