Vendi ynë do të shoqërohet nga reshje shiu këtë fillim jave, që mund të shkaktojnë probleme në disa qytete.
Në një komunikim për mediat nga Korça, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shpjegon situatën.
“Duke filluar nga sot pas mesditës në pjesën kryesisht veri perëndimore të vendit, duke u përhapur në pjesën tjetër të vendit, do të kemi intensitet të reshjeve, me intensitet mesatar dhe deri diku të lartë.
Po e bëj këtë komunikim për të shmangur emergjencat që mund të jenë deri diku dhe lokale, jemi në një stinë që nuk favorizon përmbytjet, një lajm i mirë është menaxhimi i kaskadës që nuk do të ketë nevoje për shkarkim, e cila ndodh vetëm kur kemi reshje me intensitet të lartë dhe kur jemi të detyruar të bëjmë shkarkime të detyruara në të gjithë kaskadat e Drinit, Fierzës dhe Komanit”.
Megjithatë, Peleshi u shpreh se shkarkimet do të jenë zero në të gjithë territorin.
“Vetëm intensiteti i përqëndruar në kohë i reshjeve në lokalitete në pjesën veri perëndimore mund të shkaktojë fryrje të përrenjve dhe në situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale. Shpresojmë që kjo do të parandalohet, por gjithsesi do të kemi mobilizimin e të gjitha bashkive por edhe kryepleqtë e fshatrave, banorët, të shmangin lëvizjet në rrugë të cilat kërcënohen, të sinjalizojnë në kohë në rast të një rrëshqitje apo situatë që duhet ndërhyrja e emergjencave.
Nuk është një situatë e cila do të ketë nevojën e strukturave të larta, mund të menaxhohet lokalisht por e kemi për zakon dhe është një zgjedhje e mirë të lajmërojmë në kohë për të shmangur dëmtimet jo e jo në njerëz por edhe në dëme materiale”.