Ishte viti 2014 kur shkrimtarja Rita Petro, botoi librin me poezi “Vrima” me të cilin fitoi çmimin si libri me poezi më i mirë atë vit dhe ky çmim iu dorëzua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Marrja e çmimit, ngjalli aq shumë debat për librin që në Shqipëri e konsideruan erotik dhe u sulmua jo pak nga opinioni në Tiranë.
Por, shkrimtarja Rita Petro që po merr pjesë më shtëpinë botuese Albas në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që po zhvillohet gjatë këtyre ditëve i është rikthyer edhe njëherë zhurmës së këtij libri rreth një dekadë më parë, ndërsa jep një intervistë për median italiane.
Vëllimi im Vrima, shumë i diskutuar dhe i sulmuar nga komentatorët shqiptarë, por shumë i suksesshëm, i përkthyer dhe i botuar në Francë, Rumani, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe së shpejti do të jetë edhe në Gjermani dhe Itali, është fokusuar pikërisht në lirinë e individit, konkretisht të grave dhe është një himn për dashurinë fizike dhe shpirtërore. Në fund të fundit, arti ka lindur për të provokuar, përndryshe nuk do të ekzistonte.
Ju bëni gabim duke e quajtur poezinë time erotike (nuk dua të merrem me askënd që e quan pornografike). Vargjet e mia nuk i përkasin zhanrit erotik: mund të gjendet erosi, filozofia e jetës dhe e vdekjes, e cila përbën dilemën e çdo njeriu, i lindur i lirë dhe i vërtetë dhe që vetëm pasi ka jetuar në një iluzion, bëhet pis dhe burgoset nga zinxhirët e shoqërisë, institucionit, familjes, arsimit, politikës dhe fesë.
Mendoj se shoqëria e hapur ndryshon nga shoqëria e mbyllur, e cila lufton që këta kufij të mos jenë të ngurtë, por të hapen dhe zgjerohen sipas lirisë së individit. Kush mund të ketë një rol avangardë në këtë drejtim, nëse jo arti” ? i përgjigjet Rita Petro pyetjes së gazetares.
Këtë vit, Rita Petro iu prezantua publikut me romanin “lindur së prapthi” që u mirëprit nga publiku dhe lexuesi shqiptar.