Qyteti i Nju Jorkut, praktikisht po fundoset dhe kjo, për shkak se peshon shumë!
Duke cituar gjeologë vendas, gazeta New York Post shkruan se mbi atë që njihet si “Molla e Madhe”, ka një trysni të ndjeshme e cila po ndikon ngadalë: ajo vjen si pasojë e peshës së ndërtesave masive dhe qiellgërvisheveseve të shumta të tij.
Në studimin e botuar në revistën Earth’s Future, shkencëtarë me qendër në New England që hetojnë rritjen e nivelit të detit në qytetet bregdetare, shprehen se presioni i ndërtimeve po bën që Nju Jorku të fundoset me deri në 2 milimetra në vit, e madje edhe më shumë në disa pjesë të tij si Manhateni, një shkallë relativisht e shpejtë e zhytje në krahasim me qytete të tjera.
“Nju Jorku është simbol i qyteteve bregdetare në rritje në të gjithë botën ku po vihet re ky lloj fenomeni”, shkruajnë autorët e studimit, “që do të thotë se ekziston një sfidë e përbashkët globale për të reaguar kundër një rreziku në rritje të përmbytjeve në këto zona”, theksojnë ata, sepse kombinimi i zhytjes së qytetit dhe rritjes së nivelit të detit e shton ndjeshëm rrezikun e vërshimeve.
Për të llogaritur rrezikun për qytetin e Nju Jorkut, studiuesit verifikuan të dhënat satelitore në mënyrë që të përcaktonin ngarkesën urbane dhe shkallën e fundosjes së tokës. Kjo u bë gjatë një periudhe kohe më të gjatë nga ishte përdorur më parë për të kryer matje të tilla.
Një pjesë e fenomenit, sipas eksperteve, mund t`i detyrohet edhe mbushjeve artificiale të tokës apo sedimentit të butë, megjithatë autorët sërish mendojnë se faktori kyç mbetet pesha e ndërtimeve.