Ramazan Sino 29-vjeç mbeti i vrarë pas të shtënave në armë në Krujë, ku u qëllua me armë zjarri në ndaj banesë së Gentjan Bejtjes.
Sipas informacioneve bëhet me dije se autorët e kanë lënë automjetin pak metra larg banesës dhe kanë zbritur në këmbë dhe më pas kanë hapur zjarr. Kur kanë hapur zjarr, 29-vjeçari ka qenë duke zbritur nga makina së bashku me fëmijët e Gentjan Bejtjes.
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, autorët kanë qëlluar, në drejtim të banesës dhe gjithashtu edhe në rrugën kryesore. Në total janë sekuestruar 28 gëzhoja.
Viktima ka punuar si shofer në Prokurorinë e Apelit, ndërkohë theksohet se një natë më parë, Bejtja ka qenë në shtëpi. Gjithashtu siç edhe u raportua më herët, autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e Bejtjes.
Gjithashtu ka dyshime të forta, se Bejtja mund të ketë qenë në automjet gjatë atentatit dhe se ka zbritur nga automjeti, pa mbërritur në banesë.
Nisur nga problemet në Shqipëri, Bejtja kishte kërkuar më parë azil në Norvegji fillimisht e më pas në Suedi, por këto kërkesa nuk i janë pranuar.
Kujtojmë se dhe një viktimë e krimit në Shqipëri Mario Majollari, i cili u vra më 11 prill 2018 në Tiranë, kishte kërkuar azil në Suedi, por i ishte mohuar. Madje mediat suedeze i kushtuan disa lajme kësaj ngjarjeje dhe faktit që 28-vjeçarit, i cili ishte kërcënuar me vdekje për shkak të hakmarrjes për një krim që kishte bërë babai i tij nuk mundi të shpëtonte duke u strehuar në këtë vend.