Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Hoti i Ri në Shkodër, ku 33-vjeçari Valter Fierza mbeti i vdekur pas të shtënave me armë.
Fillimisht u tha se krimi ndodhi për shkak të një konflikti të çastit në një nga lokalet e fshatit, ndërkohë së fundmi është zbuluar e gjithë dinamika e ngjarjes. Burime për mediat bëjnë me dije se autori i krimit, i cili tashmë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim, ka debatuar me vëllain e 33-vjeçarit, Kolë Fierza dhe shkak është bërë parkimi i automjetit.
Fillimisht debati nisi në një nga lokalet afër banesave pasi pretendohej se automjeti i parkuar në arë kishte bllokuar rrugën. Më pas, rreth një orë nga debati midis vëllllait të viktimës dhe autorit të ngjarjes, konflikti vijoi mes këtij të fundit dhe Valter Fierzës.
Pas debatit autori, që është edhe komshi me 33-vjeçarin ka marrë armë automatik kallashnikov dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas të shtënave kanë dalë familjarët e viktimës të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër automjetit të tij.
Menjëherë pas ngjarjes autori u largua nga vendi i krimit në drejtim të paditur. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe që prej mbrëmjes së djeshme po punojnë për kapjen e autorit.