Fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’ u përfshi mbrëmjen e kaluar nga flakë të mëdha, të cilat janë arritur të shuhen vetëm orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (24 shtator). Dëmi është i madh, pasi një pjesë e mirë e fabrikës së bojërave është shkrumbuar.
Tashmë, grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të ngjarjes, pasi i lejon edhe të veprojnë në terren duke qenë se objekti është ftohur pas flakëve masive që e përfshinë një natë më parë. Hetimet drejtohen nga Prokuroria e Durrësit me në kryer prokuroren Flora Reka.
Ende nuk dihen se cilat mund të kenë qenë shkaqet, por sipas rojës së sigurisë zjarri ka nisur ka brenda godinës së fabrikës, Roja ishte i pari që ka konstatuar flakët, që sipas tij më pas janë përhapur në të gjithë godinën. Paraprakisht se ka qenë një shkëndije elektrike, tek sektori i prodhimit të bojës, por nuk përjashtohet as ndonjë shkak i jashtëm.
Pronari i fabrikës, Luan Muça ka deklaruar në polici, se volumin më të madh të punës e kishte me klientë të mëdhenj jashtë vendit dhe mosrespektimi i kontratave me ta për shkak të zjarrit është dëmi më i madh i shkaktuar.
Zjarri i cili ra një natë më parë (23 shtator) ka shkaktuar dëme të mëdha, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz. Për shkak të zjarrit masiv, kalimi në autostradën Durrës-Tiranë u mbyll përkohësisht dhe lëvizja u devijua në rrugët dytësore. Madje, në një resort pranë fabrikës u detyrua të ndërpritej dasma dhe nusja dhëndri e dasmorët të largoheshin pasi mund të rrezikoheshin nga flakët. Po ashtu u evakuuan edhe familjet që kishin banesat aty pranë.
Fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’ në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas është në pronësi të biznesmenit Luan Muça. Ai është një nga industrialistët dhe CEO shqiptare i cili ka arritur të realizoje 5 fabrika në 3 kontinente; Europë, Afrikë, Azi. Prej 4 vitesh vepron dhe në SHBA, ku është kthyer në një nga distributorët më të mëdhenj për zonën e New York, New Jersey dhe Philadelphia. Në 2012 themeloi fabrikën “Deutsch Color” në Shqipëri. Kompanitë e tij eksportojnë në shume vende të botës duke faturuar mbi 70 milione euro ne vit.