Kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithë-pranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por analizimi i shifrave tregon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët.
Shqiptarët fituan më pak se 4 mijë lekë gjatë 2022
Viti i shkuar ishte i mbarë për arkën e shtetit, por jo edhe për aq për buxhetet e familjeve shqiptare. Në një kohë që rritja ekonomike ishte gati 5 për qind, shpenzimet mujore të familjeve në raport me vitin 2021 u zgjeruan me vetëm 4.5 për qind. E përkthyer në para, 3 mijë e 819 lekë më shumë në muaj.
Zgjerimi i shpenzimeve erdhi nga inflacioni
Një shtim i shpenzimeve të familjeve me 4.5 për qind, në një kohë që ekonomia rritet me gati 5 për qind do të ishte një lajm i mirë. Por kjo nuk mund të thuhet në rastin e Shqipërisë, të paktën për vitin e shkuar. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve shënoi nivelin më të lartë që nga 1998, në mesatarisht 6.7 për qind.
“Pra familjet nuk është se patën më tepër para në xhepa, por thjesht shpenzimet u rritën nga inflacioni. Pra shqiptarët duket se kanë jetuar gjatë vitit 2022 më keq se sa gjatë 2021-shit. Me pak fjalë, ndërsa çmimet janë rritur, shqiptarët kanë blerë më pak mallra e shërbime se sa gjatë vitit 2021”, argumenton ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
“All in” për t’u ushqyer
Gati 40 për qind e asaj që një familje shqiptare shpenzoi gjatë 2022-shit shkoi për t’u ushqyer. Në vendet e Rajonit ky tregues nuk e kalon nivelin e 27 për qind, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 15 për qind.
Fakti që pesha e shpenzimeve për ushqim në raport me totalin në vend është në nivele kaq të larta nuk do të thotë se shqiptarët ushqehen më mirë se qytetarët e tjerë të Europës apo Rajonit.
“Kjo vjen për dy arsye. E para janë të ardhurat e ulëta. Duke qenë pagat e ulëta, atëherë një pjesë e mirë e tyre rrjedhimisht shkon për ushqimeve. E Dyta është se në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë ndjeshëm më të larta se në vendet e Bashkimit Europian”, shpjegon studiuesja e ekonomisë, Xhonsila Hoxha.
“Mesatarja” që nuk tregon asgjë
“Nëse unë ha dy pula dhe ti asnjë i bie që mesatarisht ne kemi ngrënë një pulë.” Kjo thënie e ekonomistit Dritan Shano në studion e A2 CNN tregon shumë mbi atë që rëndom shprehet nga institucionet si “mesatare”. Pra vërtetë mesatarisht familjet shqiptare shpenzuan 88 mijë e 367 lekë vitin e shkuar, por sa prej tyre jetuan në luks e sa mbijetuan mbetet mes pikëpyetjesh. Kjo vlen edhe në të tjera drejtime, përveç konsumit. Te pagat për shembull. Nëse njëri paguhet me 150 mijë lekë në muaj dhe tre të tjetër me nga 50 mijë lekë në muaj, mesatarja e të katërve është 75 mijë lekë në muaj.
Thellohet më tej hendeku mes jetesës në periferi e qendër
Kriza e çmimeve, vitin e shkuar, thelloi hendekun mes jetesës në Tiranë dhe rrethe. Shpenzimet mujore të një familje në Dibër, vitin e shkuar, ishin 30 për qind më të ulëta se në kryeqytet dhe gati 20 për qind më pak se mesatarja në shkallë vendi. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga mbi 104 mijë lekë në muaj në Tiranë dhe rreth 88 mijë e 300 lekë në gjithë vendin në Dibër familjet shpenzuan vetëm 72 mijë e 724 lekë.
“Kjo është dilema e madhe në qarqe, por edhe në nivel kombëtar. Në raport me atë që prodhohet në qarqe, ajo që kthehet në interesin publik është shumë e pakët. Ndaj ka edhe kështu disbalancash. Kemi dështim të politikave të zhvillimit të rajoneve. Nuk dimë se ku duhet të mbështet zhvillimi i atij qarku, kjo ka bërë që njerëzit të kenë më pak të ardhura e rrjedhimisht të shpenzojnë më pak”, analizon ekspert i politikave vendore, Agron Haxhimali.
Drejt shtresëzimit dypolar
Shqipëria ka nivelin më të lartë të pabarazisë ndërmjet shtresave sociale se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Vendi përherë dhe më shumë po shkon drejt shtresëzimit dypolar vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit, teksa paralajmëron se mungesa e shtresës së mesme është e rrezikshme për të ardhmen e shoqërisë.
“Janë dy Shqipëri që ndeshen gjithë kohën. Është një Shqipëri reale e atyre që përbëjnë më shumë se 50 për qind të të punësuarve në sektorin privat dhe atë publik me të ardhura të pamjaftueshme dhe kemi Shqipërinë virtuale që rreket të krijohet përgjithësisht nga zoti Rama, ekipi i tij dhe elita politike e vendit.” – thotë Zef Preçi ,nga Qendra për Kërkime Ekonomike.
Teksa e cilëson si një “realitet të dhimbshëm”, Banka Botërore argumenton se rritja ekonomike e vendit nuk po përkthehet në shtim të mirëqenies së popullatës. Ushqimi përbën 70 për qind të konsumit të përgjithshëm për 25 përqindëshin me të ardhura më të ulëta të popullsisë thuhet në dokument.
“Për fat të keq ne kemi individë që qeverisin, por ende nuk kemi institucione. Ajo çfarë ne nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë janë urat mes kontributeve dhe taksave dhe përfitimet që vijnë nga ato. Pra shndërrimit të tyre në të mira publike”, argumenton Preçi.
Zhvillimet në vend, veçanërisht në dekadën e fundit ka kthyer në tavolinat e ekonomistëve diskutimet nëse duhet të kemi rritje ekonomike apo zhvillim ekonomik e social? Qeveria duket se ka zgjedhur rrugën e parë. Megjithëse në Buxhetin e Shtetit po futen si kurrë më para, vjet nga rritja e çmimeve dhe këtë vit nga puna e qytetarëve dhe fitimet e bizneseve, asnjë hap nuk është marrë deri më tani për rishpërndarjen e këtyre të ardhurave shtesë. Kjo do të thotë se pavarësisht nëse rritja ekonomike do të jetë 3.6 për qind siç së fundmi Banka Botërore parashikoi apo edhe më shumë, ajo që familjet do të kenë më shumë në xhepa për të shpenzuar do të jetë fare pak.