Është rritur në mbi 100 numri i qytetarëve të helmuar në një restorant në Malishevë. Një prej qytetarëve të helmuar, e cila tashmë është e shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë, tregon se nga ushqimi që ka marrë në lokalin më Malishevë i janë paraqitur simptomat me vjellje menjëherë, asaj dhe personave të cilat kanë ngrënë bashkë. Përderisa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se kanë asgjësuar 64 kilogramë mish në lokalin ku u helmuan qytetarët.
Pacientja, e cila nuk ka pranuar të identifikohej, ka thënë për KosovaPress se lokali në fjalë ka pasur mungesë të pastërtisë adekuate për ushqim, derisa shton se gjendja e saj shëndetësore sot është më stabile.
“Të mërkurën e kam ngrënë një doner në ora 19:00. Simptomat janë bërë në ora 23:00 të natës. Prej të mërkurës jam kështu, mbrëmë kam qenë më keq, ethe, temperaturë, vjellje, bark qitje… kështu. Vetëm aty jemi helmuar pronari im, një punëtor dhe një punëtore që kemi ngrënë, të tre dhe jemi helmuar. Nuk e di, vetëm doner, se çka ka pasur nuk e di. Si e kemi ngrënë atë jemi helmuar, kemi vjellë, tri orë, nuk ka zgjatë më shumë. As bukë, as asgjë nuk kam ngrënë vetëm ujë. Lokal që është midis rruge krejt pluhur bagerat. Ai nuk është lokal. Krejt pluhur në gojë e futim, nuk e di dje jam kanë më keq sot pak më mirë”, tha pacientja.
Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj konfirmoi se deri më tash janë hospitalizuar 12 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, të cilin e kanë marrë në lokalin në Malishevë. Ai tha se ekipi mjekësor ka intervenuar me masa të shpejta dhe gjendja e tyre tashmë është jashtë rrezikut.
Ai u shpreh se Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme për pacientë me raste të tilla, por shpreson që nuk do të përsëritet një gjendje e tillë.
Ndërsa, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi tha se i janë përgjigjur rastit menjëherë dhe bashkë me policinë kanë filluar inspektimin te lokali ku janë shërbyer klientët në të cilin kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mos dezinfektim, si dhe produkte pa origjinë.
Sipas tij, janë marrë pesë mostra të produkteve ushqimore, dy mostra nga sosat, një mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar, qoftë të papërpunuar dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.
“Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative dhe janë nisur për laboratorin e IKSHP-së në Prishtinë, ku edhe janë testuar në disa parametra. Ndërsa, pas përfundimit të mostrimit, produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar. Sasia totale, 64 kg, kryesisht mish produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, tha ai.
Përndryshe, siç raportojnë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, janë mbi 100 persona që janë helmuar në këtë lokale, e të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.