Nga 2024, çmimi i ushqimit për fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet publike të Tiranës pritet të rritet.
Kjo rritje është parashikuar në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2024 nga Bashkia e Tiranës e cila ka kërkuar rritjen e tarifës ditore të ushqimit nga 6 deri në 15%.
Për fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë paguhet tarifa mujore, e cila përbëhet nga tarifa për ushqimin që llogaritet me tarifën ditore dhe ditët e frekuentimit të fëmijës gjatë një muaji.
Deri më tani tarifa ditore e ushqimit për fëmijët e kopshteve ka qenë 160 lekë, por duke filluar nga 2024 është kërkuar të jetë 170 lekë në ditë (rritje 6,2%). Ndërkohë për fëmijët e çerdheve tarifa ditore e ushqimit nga 130 lekë në ditë do të jetë 150 lekë në ditë (rritje prej 15,3%).
Sipas relacionit të projektbuxhetit rritja e tarifës ditore është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të artikujve ushqimorë.
Në relacionin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm thuhet se shkak për rritjen e tarifës ditore është bërë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore:
“Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në vitet e fundit kanë hasur në vështirësi në përballimin e shpenzimeve për ushqim duke qenë se çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur dhe për këtë qëllim është kërkuar dhe rritja e tarifës së ushqimit për të dy nëndarjet; tarifa e ushqimit për kopshte nga 160 lekë në ditë në vlerën 170 lekë në ditë dhe tarifa e ushqimit në çerdhe nga 130 lekë në 150 lekë në ditë. Në vlerat e parashikuara për arkëtim nga pagesat e tarifës për ushqim për të dy tipologjitë e institucioneve është marrë parasysh vlera e rimbursimeve për shtresat të cilat janë të përjashtuara nga tarifa e ushqimit”.
Rritja e tarifës së ushqimit për çerdhet dhe kopshtet pritet të rrisë të ardhurat që realizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve me 57 milionë lekë apo rreth 17% për 2024 në raport me të ardhurat e pritshme të 2023.