Egila Celami, 29 vjeçe dhe Marsel Tefa, 35 vjeç, nga Burreli janë viktimat e aksidentit në rrugën e Arbrit. Çifti i të rinjve ndodheshin në mjetin tip Toyota, e cila po vinte nga ByPassi i Murrizit në drejtim të Tiranës.
Aksidenti dyshohet se erdhi si pasojë e një parakalimi të gabuar nga automjeti tip Volkswagen Cady, që drejtohej nga Klaudio Ruçi. Në momentin që Caddy është futur në parakalim ka goditur Toyotën, e cila si pasojë e shpejtësisë dhe përplasjes është rrotulluar në ajër dhe ka rënë në kanalin anësor të rrugës.
Automjeti tip Toyota është shtypur totalisht dhe është dashur të ndërhynë zjarrfikësit që kanë prerë tavanin e makinës për të nxjerrë trupat e pajetë të dy të rinjve. Ndërkohë shoferi i Caddyt ndodhet në gjendje të rëndë për jetën për shkak të plagëve të marra dhe është futur në sallën e operacionit.