Një foshnjë vetëm tre muajsh u shtrua në kujdesin intensiv të spitalit “Santobono” në Napoli, pasi rezultoi pozitiv për prezencë të kokainës në gjak.
Mjekët e spitalit pediatrik të qytetit të Salernos vendosën ta transferojnë menjëherë foshnjën në Napoli, pasi gjendja e tij konsiderohet e rëndë.
Ditën e djeshme mjekët e diagnostikuan foshnjën edhe me një formë të rëndë të meningjitit bakterial, duke e kaluar në terapi intensive.
Fëmija kishte mbërritur në urgjencën e pediatrisë në gjendje shumë të rëndë dhe mjekët arritën ta stabilizojnë duke i rikthyer parametrat vitalë.
Sakaq, prania e kokainës në trupin e tij u konstatua pas një analize të urinës. Sipas shtypit italian, nëna e fëmijës është përdoruese droge dhe ka mundësi që lënda narkotike t’i “kalojë” fëmijës në gjak gjatë ushqyerjes me gji.
Policia italiane dhe prokuroria e Salernos po kryejnë hetimet për zbardhjen e mëtejshme të të gjithë çështjes.