Një 34-vjeçar u plagos pas një sulmi me armë natën e kaluar në Athinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në rrugën ‘Iera Odos’ dhe ‘Spyrou Patsi’.
Mediat greke kanë publikuar disa foto ku shfaqet Renis Fejzolli i shtrirë përtokë, teksa punonjësit e policisë i japin ndihmën e parë të riut duke i fashuar plagët që të mos ketë shumë gjakderdhje.
Sipas informacioneve, autorët kanë qenë në një makinë, kur i janë afruar 34-vjeçarit dhe e kanë qëlluar disa herë ndërsa ai ka marrë tre plumba. Fejzolli u dërgua në spital, ku edhe iu nënshtrua operacionit për heqjen e plumbave. Mjekët thonë se gjendja e tij është e rëndë.
Policia gjeti në vend ngjarje 3 gëzhoja të një pistolete 9 mm, ndërsa makina e markës Smart të shqiptarit do t’i nënshtrohet kontrollit për gjetjen e ndonjë gjurme të autorëve.
Zona në të cilën ndodhi ngjarja është ‘arenë’ përballjesh mes bandave të lokaleve të natës në Athinë. Ajo është vetëm pak metra nga zona e lokaleve të natës Gazi, vend ku ndodhin shpesh akte dhune dhe përleshje të armatosura mes bandave.
Renis Fajzolli rezulton me precedentë penalë. Sipas mediave greke, 34 vjeçari shqiptar u arrestua në vitin 2019 për një çështje droge dhe për vjedhje.