Një tjetër rast i rëndë i dhunës dhe mbylljes në shtëpi është zbuluar në Tiranë, i ngjashëm me atë të Jetnor Zhabolit.
Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Asqeri Mandri, i cili akuzohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij, e po ashtu e mbante atë të mbyllur në shtëpi, duke e survejuar me kamera. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kodër Institut”, ku 34-vjeçari kyçte gruan në banesë, e cila kishte kamera të instaluara në çdo dhomë.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Jetnor Zhaboli, me profesion ekonomist, mbante mbyllur në shtëpi bashkëshorten, fëmijët e tyre të mitur dhe nënë e tij, duke i kontrolluar me kamera. Ai po ashtu kishte vendosur edhe silenciator valësh që ata të mos komunikonin me njeri kur ai të mos ishte në shtëpi. Ai rezulton se vuante nga probleme të shëndetit mendor, teksa shprehej se e bënte për sigurinë e tyre, e po ashtu se dëgjonte zera.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj.