Në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë, Jemin Shera kanë dëshmuar pjesëtarët e stafit ku pinte kafen biznesmeni që u ekzekutua në 25 shkurt të 2021.
Dëshmitarët kanë bërë me dije se i njihnin viktimën, pasi frekuentonte shpesh lokalin pranë banesës së tij.
Pronarja e lokalit Engjellushe Banaj ka theksuar se e ka në pronësi bar-kafen që prej 23 vitesh dhe Behar Sofian e njihte pasi e ka frekuentuar shpesh lokalin e saj.
Prokuroria lexoi në seancë edhe dëshminë e Ardjana Vathit bashkëshortes së Skënder Vathit, i dënuar me 30 vite burg për të njëjtën ngjarje.
Sipas deklarimeve paraprake ajo ka pranuar se ka shkuar disa here për të pirë kafen në lokalin mbrapa piramidës. Sipas SPAK ata e kanë vëzhguar Behar Sofian për 6 muaj.
Si ndodhi ekzekutimi?
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.