Të dy djemtë e Pëllumb Metës, 50-vjeçarit që u gjet i vdekur këtë të premte ndodhen në polici.
Dyshohet se 19-vjeçarja Hygerta Meta, studente e Fakultetit Ekonomik në Tiranë ka ekzekutuar me pistoletë të atin dhe më pas e ka varrosur në kasollen e bagëtive, pasi ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.
Sipas informacioneve, besohet se ajo nuk veproi e vetme, por u ndihmua nga famikljarët e tjerë, nëna dhe dy vëllezërit, ndërsa janë ende të paqarta detajet se si ka ndodhur dinamika e ngjarjes që tronditi vendin këtë të premte.
Krushku i familjes Meta (ka nuse djali vajzën tjetër të familjes), në një deklaratë për mediat tha se vajza nuk mund të vriste dot një pulë dhe jo më babain e saj.
Ai tha se nuk kishin asnjë dyshim për problemet në familje.
“Nuk di asgjë, nuk kam asnjë informacion, Pëllumbi ishte zotëri burrë, është nga Kruja. Është vendosur këtu, ka vite. Ka pasur familje të mirë, me sa e njohim neve. Ai punonte roje tek varrezat e makinave. Një nga vajzat e tij e ka djali im, e njohim si familje të mirë. Nuk e kemi ditur çfarë konfliktesh kanë pasur. Rreth 2 javë më parë na thanë që ka humbur, më vonë morëm vesh që u gjet makina. Sot na njoftuan që është gjetur.
Vajza nuk mbyt dot një pulë, jo më njeri. Nuk e di a ka persona të tjerë të përfshirë. Janë çështje familjare, ishte shumë e mirë, studentë, nuk të shkon mendja që ajo ka bërë këtë veprim. S’kam informacion fare që vajza do të fejohej, s’dimë të kenë pasur konflikte. Ka ndodhur kjo, ndoshta ia kanë lënë vajzës”, tha krushku i viktimës.