Një aksident i rëndë u regjistrua rreth orës 4:00 të mëngjesit të kësaj të marte në aksin “Këlcyrë-Përmet”.
Një automjet humbi kontrollin dhe ra në anën e lumit Vjosa. Nga ky aksident ngelën 8 viktima, 7 nga të cilët emigrantë nga Lindja e Mesme, ndërsa shoferi i makinës nga qyteti i Shkodrës.
Në lidhje telefonike për “Shqipëria Live”, prokurori Petrit Çano e cilësoi ngjarjen si kriminale e jo aksident. Sipas tij, shoferi Sokol Ismeti ka nxituar për të humbur gjurmët nga patrulla e policisë që hasi rrugës, edhe pse efektivët nuk ishin në ndjekje.
“Ky nuk është aksident, është një ngjarje kriminale. Personi që po i transportonte për t’i dërguar drejt vendeve të Bashkimit Europian ka hasur në një patrullë të policisë gjatë rrugës. Në këtë moment, ai është kthyer mbrapsht dhe ka ecur me nj shpejtësi shumë të madhe, besoj deri në mbi 170km/h. Në një segment të rrugës, ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka rënë në vendin ku më pas u gjetën viktimat. Ka qenë një mjet tip “Benz” me portobagazh, ishin 8 veta brenda të njëjtit mjet. Një pjesë kanë qenë të futur në portobagazh, një pjesë në sediljet e prapme. Shoferi ka qenë i ri, rreth moshës 27-28 vjeç. Nuk është aksident sepse ai i ka vrarë ata, përveç trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, ai i vrau. Dyshohet se ka qenë pjesë e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në fushën e trafikimit të emigrantëve. Policia nuk ishte në ndjekje, ai thjesht donte të humbte gjurmët sepse efektivëve u humbi dhe nuk po i ndiqnin.”- tha prokurori.