Abaz Xhelili, babai i Orges Xhelilit, personi i cili plagosi me thikë kreun e bashkisë së Divjakës dhe shoferin e tij Gazmir Bullari, ka folur sot për herë të parë në lidhje me incidentin e rëndë.
Teksa Xhelili del sot përpara togave të zeza për masën e sigurisë, babai nga ambientet e jashtme të gjykatës deklaroi se i biri i tij nuk është një person problematik dhe se ka qenë një student ekselentë.
Ai kërkon nga drejtësia që të zbardhet e vërteta dhe motivet që e çuan të birin e tij drejt këtij akti ekstrem.
Sipas të atit, kanë qenë Kokoneshi dhe shoferi i tij të cilët e kanë ndaluar të parët djalin dhe jo ai ata.
“Problem, ça problemi e hoqi nga puna, po 1 vit. Ka qenë student i mirë, absolut, ekselent, inxhinier. Nuk na kishte thënë gjë, ditën e hënë do ishte në punë në Tiranë si inxhinier elektronik. Ka mbaruar të lartën për inxhinieri elektronike, absolut. Nuk e marr vesh, si i arritën këto shqetësime djalit. Ne dy çuna kemi, i kemi pasur ekselentë.
Shqetësimi ishte se e hoqi nga puna pa të drejtë. I thashë po lëre pse nuk gjen punë ti se të hoqi Fredi. Deshën të ikin në Gjermani, pastaj filloi punë. E hoqi me të padrejtë, e thirrën njëherë nga krimi ekonomik, si është problemi, me këto vjedhje.
Ne i kemi pasur dhe si miq se mbesën atje, u prish miqësia, u prish edhe ky. Mirë se e hoqi djalin për punë politike, ne jemi krahu i saj, unë jam familje dëshmori, vetë kam qenë oficer, kam punuar në shëndetësi kaq kohë. Të priste djali im me këta rrugaçë. Ai ka pasur probleme, Fredi, po te djali im e gjeti? Nga televizori e morëm vesh, na e thanë të tjerët. Ne jemi të dy pleq, gruan 40 vjet mësuese, drejtoreshë shkolle.
Ai ka vajtur atje, në rrugë e i ka thënë ku je ti. Jam në hallin tim, i ka thënë djali, kam zënë punë. Se zuri punë, fillonte në Tiranë. Se ça janë ofenduar. E ka pasur krushku derën aty afër. Atë ditë erdhi nga Tirana, për të marrë ca gjëra se krushkun e kisha në spital. E ndaluan ata. Vetëm e drejta, të dalë drejtësia, se djali im nuk ka qenë problem”, tha babai i autorit.
Përplasja mes Xhelilit dhe kryebashkiakut lindën në momentin që ky i fundit e hoqi nga puna pas 4-vitesh si punonjës i IT-së së bashkisë. Problemet u agravuan më tej në momentin që bashkëshortja e autorit, që punonte si shefe infermiere pranë Poliklinikës së Divjakës, u transferua në një pozicion tjetër.