Në qendrën më të madhe spitalore, QSUT, nuk ka një mjek pneumolog që qëndron çdo ditë këtu. Mjekja pneumologe që ishte ka ikur në Gjermani.
Nëse gjendja shëndetësore e pacientëve komplikohet atëherë mjeku kërkon me telefon një mjek pneumog nga sanatoriumi dhe kur të jetë i lirë, pas tre apo 4 orësh ai vjen për të vizituar pacientin që ka shfaqur komplikacionin.
Dhe kjo konsiderohet zgjidhje në rastin më të mirë. Por kjo zgjidhje në fakt është stres i shtuar jo vetëm për pacientin dhe familjarët e tij por edhe për vetë ekipin mjekësor që e ndjek në QSUT. Arsyeja? Vonohet fillimi i trajtimit mjekësor.
Këtë e dëshmon rasti më i fundit i një familjari i cili bisedoi me Top Channel. Ai kërkontetë një mjeku pneumolog i cilit ishte i gatshëm ta sillte edhe privatisht. Por, kjo nuk lejohej.
Ndërkohë që mjeku pneumolog arrin më shpejt nëse pacienti apo familjari i tij ka të njohur në radhët e bluzave të bardha. Por edhe në këtë rast mjeku penumolog nuk mund të largohet për të ardhur në QSUT nëse nuk ka mbaruar vizitat e pacientëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Nuk janë të paktë pacientët të cilët vijnë për t’u trajtuar në klinikat e QSUT dhe kanë probleme apo trajtohen edhe për probleme në mushkëri. Aq më tepër kur jemi në një situatë post covid e janë shtuar komplikacionet pacientëve në mushkëri.
Por nëse mjekja pneumologe më parë ka ekzistuar përse tani askush nuk e merr mundimin për ta zëvendësuar? Dhe kur mungojnë mjekë në qendrën më të madhe spitalore, nëse largohesh disa kilometra nga Tirana mungesat e mjekëve specialistë janë më të mëdha.
Por nëse shikoni në Facebook shëndetësia po lulëzon. Ndërkohë, në terren njerëzit sorollaten sa nga një spital në tjetrin.