Korça është qyteti i festave të fundvitit, kryeqendra e festave dhe këtë vit pritet të ketë turistë nga e gjithë Shqipëria. Por disa persona të papërgjegjshëm kanë prerë dhe dëmtuar kabllot e furnizimit me energji elektrike të dekorit të qytetit, në Bulevard Republika.
Ka qenë kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili ka denoncuar rastin. Ai i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore autorin/ët.
Postimi i plotë i Sotiraq Filos:
Janë prerë dhe dëmtuar kabllot e furnizimit me energji elektrike të dekorit të qytetit në Bulevard Republika. Prej javësh ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë nisur punën në vendosjen e dekorit për t’i dhënë Korçës atmosferë festive që në ditët e para të dhjetorit.
E teksa punëtorët tanë në shi, në të ftohtë punojnë me përkushtim që korçarët ta kenë të bukur qytetin për festa e vizitorët të jenë sa më të shumtë, dikush ka marrë pemët me rradhë e ka prerë kabllot!!
Apel institucioneve përgjegjëse për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj ngjarje të shëmtuar që nuk ka dëmtuar vetëm bashkinë por gjithë qytetin. Kjo nuk është Korça! Këta nuk janë korçarët!