Personi që po shikoni në foto është Armando Ogranaja, 44-vjeçari shqiptar, me origjinë nga Berati, i cili mbeti i vrarë një natë më parë në Athinë.
Mësohet se Ogranaja nuk ka qenë shënjestra e atentatit dhe se qëllimi i autorit ishte të ‘eliminonte’ 41-vjeçarin Kreshnik Çerçizaj, nga Vlora.
Masakra ndodhi një natë më parë në Athinë. Një person i veshur me të zeza dhe me maskë kirurgjikale u fut dhe hapi zjarr në një restorant të mbushur me klientë. Ai u afrua pranë tavolinës ku ndodheshin dy shqiptarë dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Më pas u largua me vrap. Çerçizaj ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Ogranaja në spital.
Atentatori hyri në ambientet e lokalit i veshur me të zeza dhe me fytyrën e mbuluar me maskë kirurgjikale dhe ekzekutoi dy shqiptarët.
Momenti i tmerrshëm është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa klientët e panikosur vrapojnë të shpëtojnë pas të shtënave me armë.
Një 31-vjeçare greke mbeti gjithashtu e plagosur por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i krimit dyshohet se kishte një bashkëpunëtor që e priste jashtë ambienteve të lokalit.