Henri dhe Eni, një çift artistësh të rinj kanë hapur një shtëpi arti në qytetin liqenor të Pogradecit.
Henri është piktor ndërsa Eni këngëtare dhe së bashku vendosën pak muaj më parë të krijojnë një hapësirë ku artistë të ndryshëm mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre artistike pa pagesë.
Në pjesën më të madhe të kohës Henri realizon pikturat në studion e tij dhe Eni bën provat ndërsa dera është e hapur për te gjithë artistët që duan të organizojnë aktivitete të ndryshme.
Teksa realizonin arredimin vetë ata menduan që të mikpresin çdo artist që ka nevojë për një hapësirë.
Edhe pse të rinj, ata kanë një synim të qartë, dëshirojnë të sjellin në Pogradec sa më shumë artistë që japin kontributin e tyre në fushën e artit.