Era e fortë ka bërë që një magazinë produktesh ushqimore të mbesë pa çati. Kjo pasi çatia prej llamarine e vendosur, e ka marrë era dhe ka rënë mbi 5 makina të parkuara. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por dëmet materiale janë të shumta.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak Mesditën e sotme, në lagjen nr. 8, për shkak të erës së fortë, është rrëzuar çatia prej llamarine e një objekti (magazinë produktesh ushqimore). Për pasojë, janë dëmtuar 5 automjete të parkuara në afërsi të këtij objekti, ndërsa nuk ka dëme në njerëz. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gjithashtu era e fortë ka shkulur disa pemë në qytet, ku në foto shihet qartë sesi rrënjët e një peme kanë dalë në sipërfaqe, duke dëmtuar edhe pllakat, si dhe në disa zona të juglindjes është ndërprerë energjia elektrike.