Vazhdon të mbetet mister fati i 26-vjeçarit Mateo Lika, i cili dy javë më parë dyshohet se ka rënë në ujërat e lumit Seman në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit”.
Ditën e sotme kanë rifilluar sërish kerkimet nga polumbarët e Reneas për gjetjen e automjetit tip “Golf”, që dyshohet se ra në ujrat e lumit Seman pas përplasjes me një parmaket të hekurt të urës së Mbrostarit në Fier. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të 26-vjeçarit dhe as të automjetit të cilin e kishte marrë me qira.
Nuk ka ende asnjë të dhënë nëse automjeti është në ujërat e lumit apo pas përplasjes me parmakët e urës është larguar.Këto janë dy pistat ku po hetojnë blutë e Fierit, ndërsa kontrollet vazhdojnë në lumin Seman ashtu edhe në zonat përreth, me shpresën për të gjetur automjetin.
Polumbarët e repartit special Renea po kërkojnë në rrjedhën e lumit, duke përdorur metodën me zinxhirë dhe nga ajri me drone. Pavarësisht kërkimeve, nuk ka asnjë gjurmë nga makina, ndërsa telefoni i 26-vjeçarit vijon të jetë i fikur.