Rreshtere Entela Troqe e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është nga ato vajza që çdo ditë e kalon me makinat e forcës tokësore, në një pozicion që gjithmonë është konsideruar si një punë burrash.
Gjetjen e defekteve të makinave të FA dhe rregullimin e tyre. Ajo është bërë pjesë e promovimit të Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të detyrës specifike.
“Jam rreshtere, me detyrë zv.komandante e togës së mirëmbajtjes dhe drejtuese e grupit të shërbimeve në batalionin e forcës tokësore. Jam pjesë e FA prej gati 20 vitesh, dëshira për të mbajtur këtë uniformë daton më herët që nga fëmijëria sepse babai im ka qenë ushtarak. Detyra ime konsiston në evidentimin e problematikave te teknikës së transportit. Është një punë që unë e kryej me pasion pavarësisht paragjykimit se nuk bëhet nga gratë e vajzat.
Nuk kisha bërë kurse teknike që nga koha dhe njohuritë që kisha marrë kur u pajisa me lejen e drejtimit. Por kur kanë ardhur disa herë ekipet amerikane në forcën tokësore kam qenë pjesë e trajnimeve për teknikën e re. Çdo ditë që kalonte më pëlqente më shumë kjo punë që bëj sot. Kur pasioni që kam për makinat ndërthuret me detyrën funksionale, kjo është një gjë fantastike. Ta bën dhe punën më të lehtë” thotë Entela në videon promovuese publikuar nga ministria e Mbrojtjes.
I gjithë klipi promovues është bërë në oficinën e makinave të Forcave të Armatosura. Dhe aty shquhet Entela me disa kolegë meshkuj që merren me rregullimin e makinave të FA.