Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku një mjeke u dhuna me grushte.
Në lidhje me ngjarjen u arrestua Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali, 54 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për tre persona të tjerë.
Burime për media bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur te spitali Infektiv. Një nga personat e mësipërm ka pasur të shtruar në spital vëllain, i cili ishte prekur nga Covid, por që fatkeqësisht mbrëmjen e djeshme ka humbur jetën.
Të trishtuar nga vdekja e të afërmit Spahija, Bali dhe tre personat e tjerë janë përplasur me policin privat të infektivit dhe më pas me mjeken, të cilën e kanë akuzuar se nuk kanë përdorur mjekimet e duhura. Sipas raportimeve personi që humbi jetën vuante dhe nga probleme t1% tjera shëndetësore.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Goditën për shkak të detyrës një mjeke, dëmtuan dyert dhe dritaret e spitalit ku ajo punonte, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë.
Të arrestuarit nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes, për të kryer veprimet procedurale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas kishin goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kishin dëmtuar ambientet e spitalit ku ajo punonte, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.