Një 12-vjeçare ka humbur jetën ditën e sotme në pistën e skive në Brezovicë, Kosovë.
Mediat lokale raportojnë se 12-vjeçarja me iniciale M.B, e nacionaliteti serb ishte duke skijuar kur u aksidentua rreth orës 12:00. Ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit të Mitrovicës, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.
Sot, rreth orës 16:00, policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në Qendrën e Skijimit në Brezovicë rreth orës 12:00 ka ndodhur një lëndim trupor gjatë skijimit të një personi e gjinisë femër M.B e nacionalitetit serb, e moshës rreth 15 vjeçare. Pas ndihmës së parë në Shtërpcë me autoambulancë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në spitalin e Mitrovicës. Rreth orës 17:50 policia është njoftuar se nga lëndimet e pësuara e njëjta ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë.
Ndërkohë ky lajm është konfirmuar edhe nga Ardian Grazhda, njëri prej menaxherëve të qendrës së skijimit. Grazhda duke folur për mediat tha: Vajza është rrëzuar keq teksa po bente ski me babain e saj. Dyshohet se ajo e ka shqyer mëlçinë. Ajo është dërguar për trajtim në Shtërpcë por nuk e kanë ndal aty dhe ajo ka vazhduar për në Mitrovicë ku edhe ka vdekur.