Sot Kosova feston 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratik. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës.
Për vite me radhë, shqiptarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare, u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Në Prishtinë por jo vetëm do të mbahen një sërë takimesh dhe aktivitetesh për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë.
Ideatori i obeliskut të Pavarësisë së Kosovës, “NewBorn”, Fisnik Ismaili, ka rrëfyer se cili është mesazhi që përçohet këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës.
Ismaili tha se mesazhi kryesor është për Asociacionin, por që lidhet edhe me Ukrainën. Pamja e “NewBorn”, këtë vit ka pasur ndryshime edhe në pozicionin e shkronjave, ku përmes lëvizjes së shkronjave ‘N’ dhe ‘O’, është dhënë një mesazh i fuqishëm politik ku thuhet “No New Broken Republic”.
“Ka të bëj me Asociacionin. E kemi bë një lojë me shkronja, ua kemi ndërru vendin. Jo një Republikë e coptume, është mesazhi. Mesazhi është edhe për Ukrainën…”, tha Ismaili.