Nga ANILA HOXHA
Ishte një mëngjes mbushur me re ai i 8 dhjetorit 2021 që Franci dhe Alberta u bënë prindër për herë të parë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Gëzimi i madh i dy prindërve 34 dhe 28 vjeçarë që nuk u lanë kohë mjekëve të vendosnin ndonjë numër në dorën e fëmijës.
Siç ata e kishin vendosur dhe imagjinuar më parë, e quajtën Eden si Kopshti i Edenit, që përdoret shpesh si sinonim për fjalën Parajsë. Që fillimisht i referohet një kopshti të bukur e të përhapur në Bibël, një vendi të pastër e shumë natyror. Parajsë?
Që nga lindja e Edenit, jeta e tij dhe e prindërve të vet u kthye në një ferr të vërtetë, krejt e kundërta në 180 gradë nga emri që ai mbante. Eshtë historia e trishtë e një familjeje të re, që lindi një fëmijë sipas planifikimit të mjekëve dhe jo shumë vonë, disa javë më pas, u diagnostikua me HIV/AIDS duke sjellë mëngjes e mbrëmje në sytë e dy prindërve të vet, lot pa fund, dhimbje, hutim, kërkim të së vërtetës, drejtësi, orë të zgjatura në dyer institucionesh për të marrë përgjigjen, që për inat të fatit a të zotit, apo për gabime të natyrës njerëzore, po ua nxinin jetën… derisa ata vendosën një ditë së bashku të drejtohen në prokurori.
KUSH UA INFEKTOI FEMIJEN E TYRE TË VOGËL, ËNGJËLLIN QË KISHIN SJELLË NË JETË, ME HIV? AIDS?
Iu përmbys bota, donin të vrisnin veten. Pas ‘shok”- ut të parë të tronditjes, filluan të kërkonin arsyet se pse kishte ndodhur një gjë e tillë. Kërkonin arsye, raporte…institucionet heshtnin. Iu drejtuan prokurorisë por kjo e fundit u tha se nuk kishin prova. E ç’prova të paraqisnin? A kishte provë më të madhe sesa fëmija e tyre sëmurë me AIDS ndërkohë që ata si prindër ishin të shëndetshëm? Derisa në nëntor, një gjyqtare me zemër në dorë, filloi nisjen e hetimeve. Të gjitha këto, janë të shkruara në një dosje voluminoze me dokumente e mjekime e analiza që presin drejtësi. I kujt është faji?