Hanme Kuqi është 67 vjeç. Ajo jeton me bashkëshortin në fshatin Jazxhias të komunës Ballagat në Lushnje. Gjithë jetën ata ia kanë kushtuar bujqësisë. Ata janë prindër të 3 fëmijëve, dy prej të cilëve kanë ikur në emigrim.
Çifti i pensionistëve i kanë dhënë jetën fshatit, por ata jetojnë në kushte jo fort të mira ekonomike.
Hanmja ka punuar në kooperativë nga viti 1972 deri në vitin 1990 kur u ndryshuan sistemet. Sot, ajo merr një pension qesharak.
“19 vite me sigurime, ata i kanë humbur 10 vite. Se nga i çuan , xhaja nuk i di, i doli pensioni 84 mijë lekë” u shpreh fermeri, Rrahman Kuqi
Rrahmani është orvatur nëpër zyrat e shtetit për të kërkuar hakun e Hanmes.
Një pjesë e rëndësishme e kontributeve të saj nuk ekzistojnë në sistem. Të moshuarit, janë detyruar të marrin plot 4 milionë lekë kredi në mënyrë që të derdhin kontributet e mohuara padrejtësisht. Absurdi qëndorn se me gijthë interesat, shuma e shpenzuar shkon 7 milionë lekë dhe në fund, e moshuara ka përfituar një pension minimal, në nivelet e një ndihme ekonomike.
“Ku do shkoja unë. Ata llogaritarët e shtetit i kanë humbur 1 vit e gjysmë punë nga kooperativa. Gjithë pengesën e ka bë komuna. Në vend që të vinte 18-19 I vendosi 9. Ishin mbyllur letrat. Ku do shkoja. Me borxhe. Shpirti im e di se çfarë kam heq, e vujt që i kam shlyer ata 7 mln shpirti im e di se çfarë ka vuajt që kam paguar 7 mln. Kam marrë borxh dhe i kam pa paguar edhe sot” u shpreh fermeri, Rrahman Kuqi.
Nëse Hanmja nuk do të kishte paguar kontributet e mbetura për pensionin pasi mbushi moshën e daljes në pension sipas ligjit në fuqi, pensioni do ti kishte dalë 6 mijë lekë të reja. Një diferencë prej 2 mijë e 400 lekë më pak se pensioni që merr pasi shtoi kontributet përmes kredisë. Pra, ajo sot merr 8 mijë e 400 lekë në muaj.
Të moshuarës do ti duheshin të konsumonte 20 vite pension sipas llogarive që të shlyente kredinë, pavarësisht se ajo ka marrë borxh dhe e ka shlyer totalisht bankën.
Rasti i Hanmes nuk është i vetëm. Janë me qindra të moshuar që kanë kaluar vështirësi të ngjashme. Në thelb, të moshuarit si çifti i pensionistëve në Lushnje sot vuajnë krizën që ka prekur skemën e pensioneve të goditur rëndë nga informaliteti dhe largimi i kontributorëve.