Ndotja më e madhe e liqenit të Ohrit shkaktohet nga dampat me minerale, ujrat e zeza, prurjet e lumenjve etj.
Tani le të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë. Dampat janë vende depozitimi provizore ose të përhershme ku vendoseshin mbetjet e minierave.
Kjo që jeni duke parë është një prej dampave më të mëdha që ndodhet në fshatin Hudënisht. Për vite me radhë aty janë depozituar mbetjet e hekurit, nikelit dhe kromit. Kjo damp ka qenë mjaft e rrezikshme pasi fshatarët përreth e përdornin ujin për vaditjen e tokave bujqësore.
Sa herë që ka reshje shiu mbetje të tëra të metelave të rënda përfundojnë në liqen. Më pas ato kthehen në ushqim për peshiqit. Në bazë të zinxhirit ushqimor, metalet e rënda përfundojnë në organizmin e njeriut, pasi peshiqit nuk i tresin këto metale.
Nga zona e Gurit të kuq deri në Memelisht ka disa dampa me minerale hekur – nikeli. Janë gjithsej 125 mijë ton hekur dhe mbi 2200 ton nikel,10 mije ton krom të cilat duhen zhvendosur.
“Një problematik tjetër janë edhe dampat sidomos ajo e gurit të kuq, ish stacioni hekurudhor I gurit të kuq. Ka pasur sasi të konsiderueshme minerali pasi ka pasur një kontratë për shfrytëzimin e minierës por pas rekomanidmeve nga UNESCO është evaduar pjesa më e madhe e këtij minerali dhe vazhdon edhe heqja e asaj pjese të vogël që kë ngelur” u shpreh Paskalino Ziko,Nënkryetar i Bashkisë Pogradec.
Zhvendosja e dampës në Hudënisht ka filluar por aty nuk punohet në mënyrë konstante. Kështu që ndotja prej saj vazhdon të jetë ende problem për ekosistemin dhe për shëndetin e banorëve. Ndotje të tilla nuk të krijojnë shqetësime të menjëhershme por pasojat e tyre shihen vite më vonë në shëndetin e popullatës. Mbetjet që janë në këtë dampë zhvendosen në një pikë tjetër që nuk ka shkarkim në liqen.