Britanikët nuk duan të punojnë si veterinerë e kasapë, ndaj për të mbushur këtë boshllëk sytë janë drejtuar nga Shqipëria. Jason Aldiss, sipërmarrës nga Mbretëria e Bashkuar, njëherazi përfaqësues i Mjekëve Veterinerë në Europë prej tre ditësh ndodhet në Tiranë.
“Që kur Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Europian, pra Brexit, ne po vuajmë shumë për burime njerëzore. Janë mijëra vende boshe pune në sektorin agro-ushqimor dhe qindra të tjera në atë veterinar dhe përpunimin e mishit. Duke përfituar nga fakti që kam qenë edhe më herët në Shqipëri, po përpiqem që me atë të njohjeve të gjej sa më shumë veterinerë dhe kasapë”, rrëfen ai për A2 CNN.
Në një kohë që shumë shqiptarë vijojnë t’i drejtohen shtetit ishull në rrugë ilegale, problem i trashëguar që muajt e fundit veç vëmendjes së veçantë ka marrë deri në deklarime diskriminuese Aldiss ka një këshillë për qeverinë e vendit të tij.
Jason Aldiss, sipërmarrës nga Mbretëria e Bashkuar
“Për aq kohë që unë jam i bindur se Mbretëria e Bashkuar po vuan dëshpërimisht për punonjës, njerëz që ne na nevojitet gjithandej e veçanërisht në sektorin agro-ushqimor, mendoj se në vend të deklaratave gati raciste të kemi hapje të portave për të mirëpritur shqiptarët që duan të punojnë. Besoj absolutisht që ju keni burimet njerëzore të kualifikuara që ne na nevojiten në Mbretërinë e Bashkuar”, shton sipërmarrësi.
Dhe ky proces hapjeje për Aldiss duhet të nisë me eliminimin e burokracive në procedurat ligjore.
Sipas britanikut, “burokracitë nuk mund të mungojnë, veçanërisht në drejtim të procedurave ligjore për rekrutimin e punonjësve të huaj. Po mund ta them i bindur që Home Office në mbretërinë e Bashkuar në vend të lehtësive ofron pengesa”.
Kompanitë në Britaninë e Madhe prej vitesh, e veçanërisht pas Brexit kanë ngritur alarmin për mungesë të fuqisë punëtore sidomos në sektorë që vendasit nuk i preferojnë.