Një 15-vjeçar korçar është arrestuar pasi ka thyer masën e arrestit të shtëpisë dhe është larguar me një 13-vjeçare.
Por jo vetëm kaq, pasi i mituri i dënuar me “arrest shtëpie” për ‘Vjedhje’ dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren. Pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, policia ka arrestuar 15-vjeçarin dhe ka dorëzuar te familja e saj 13-vjeçaren me të cilën ishte larguar.
Njoftimi i policisë:
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për shpalljen në kërkim të një 15-vjeçari, banues në Korçë, që kishte dalë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja” dhe ishte larguar me një 13-vjeçare, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë e kanë kapur dhe e kanë arrestuar 15-vjeçarin. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren me të cilën ishte larguar, e cila u gjet dhe u dorëzua tek familjarët e saj”.