Ky është momenti kur Agim Ademi, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës dërgohet në spital pasi është ndjerë keq në paraburgimin ku iu caktua që të qëndronte për 48 orë.
Drejtori I Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Gazetën Express, pranimin e Agim Ademit në klinikë, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore pak kohë pasi me urdhër të prokurorit u dërgua në burg.
Doktor Syla tha se gjendja shëndetësorë e Ademit është stabël dhe se kreu i FFK-së iu është nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme mjekësore.
“Stabile është gjendja, jemi duke ia bërë analizat dhe rëntgen. Pastaj të shohim, por me gjasë do të lirohet,”- deklaroi Syla.
Ademi sot është marrë në pyetje nga Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon për kryerjen e dy veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.