Policia e Tiranës ka zbardhur detajet nga ngjarja e ndodhur një natë më parë në Astir ku një çift bashkëshortësh mbetën të lënduar pasi ashensori në pallatin e tyre ra nga kati i 5 në katin zero.
Burime bëjnë me dije se shkak i rënies së ashensorit është bërë pesha më shumë nga sa ishte e lejuar, pasi brenda në ashensor lejohej hyrja e vetëm 4 personave ndërkohë që përveç çiftit Sinan dhe Selvie Kazani kanë qenë edhe 3 persona të tjerë të së njëjtës familje.
3 anëtarët e tjerë të familjes kanë pasur lëndime të lehta ndërsa çifti i bashkëshortëve ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, ashensorit i janë vënë shiritat e verdhë nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyerjes së Tregut.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Aleksandri i Madh”, ku ashensori i një pallati ra nga kati i pestë në katin zero, ju informojmë se nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkaku i rënies së ashensorit ka qenë tejkalimi i kapacitetit, pasi në ashensor kishin hipur 5 persona, ndërkohë që kapaciteti i lejuar ishte 2-3 persona. 2 personat e dëmtuar, pasi kanë marrë mjekimin në spital, janë larguar në banesë, ndërsa 3 të tjerët nuk kanë pësuar dëmtime.
Materialet për këtë rast u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.