Pak kohë më parë u raportua rasti i një fëmijë, të infektuar me HIV/AIDS, prindërit e të cilit akuzojnë bluzat e bardha se djali i tyre u infektua në pediatrinë e QSUT-së.
Në një lidhje me Skype në emisionin “Panorama e Mëngjesit”, babai i fëmijës tregon momentet e vështira, kur kanë marrë vesh lajmin e trishtë, që i ndryshoi edhe jetën.
“Ishim me këmbë në varr”, tha babai, ndërsa theksoi se “mënyra si iu komunikua nga mjekët ishte çnjerëzore, pa praninë e një psikologu”.
“Djali është infektuar në sistemin spitalor në Shqipëri. Djali jonë ka lindur i shëndetshëm pranë spitalit mbretëresha Geraldinë. Pati disa shqetësime normale për moshën e lindjes, të cilat i kaloi në terapi intensive. Më pas doli nga spitali më 15 tetor dhe e dërguam në shtëpi, situata ishte shumë e mirë. Djali po rritej i shëndetshëm.
Më 28 nëntor detyrohemi ta çojmë djalin në pediatrinë e QSUT për shkak të bronkopneumonisë. Ishte në një gjende as pak të mirë shëndetësore dhe e futëm në terapi intensive.
Identifikimi me HIV iu bë më 2 mars 2022. Doktoresha që e ka ndjekur duke parë që gjendja imunitare nuk kishte siguri vendosi të kryente edhe testin e HIV. Por djali ka 5 kartela shtrimi në QSUT para se të shpallej me HIV. Pra më shumë ka qenë në spital sesa në shtëpi.
Duke u konsultuar edhe me ekspertë të jashtëm periudha nëntor- dhjetor mund të jetë ajo e infektimit.
Në fund të vitit, djalit i nisi një temperaturë aspak normale, e shoqëruar me diarre. Këtu kuptuam që këto ishin edhe simptomat e virusit.
Më 6 janar 2022 i kryejmë një test sa i përket transaminasave Nga konsultimi me mjekët në Itali këto tregojnë prezencën e një infeksioni akut. Pra kjo ka nisur që para janarit.
Ju zbuloj edhe një detaj, aty ky e kam zhvilluar testin e transaminancave më kanë thënë mos djali vuan nga hepatite?
Në datën 2 mars behët testi, del pozitiv. Pa dijeninë tonë, na është komunikuar në mënyrën më çnjerëzore, pa prezencën e një psikologu. Ishim me një këmbë në varr. Kurrë nuk e kishim imagjinuar. Kalvari nis më prapa.
Ka qenë një luftë titanike, kundrejt një sistemi që është i kalbur nga koka. Kryem testen edhe ne, të miat dhe bashkëshortes dhe rezultuan negativë. Ndërsa testet e djalit përsëri ishin pozitive.
Doktoresha që e ndiqte, Ilirjana Bakalli nga një bindje e plotë për HIV na konfirmoi që mund të kemi të bëjmë me diçka tjetër. Kjo për të shmangur përgjegjësitë”, tregon babai.
Përveç spitaleve, ai tregon edhe vuajtjet nëpër gjykata, pasi kanë bërë kallëzim në Prokurori kundrejt sistemit shëndetësor.
“Ne bëmë kallëzim, prokuroria caktoi zotin Saimir Hysa, i cili nuk ka nisur asnjë hetimi. Ne si palë kallëzuese, kallëzojmë sistemin shëndetësori dhe Hysa anon kundrejt palës së kallëzuar. Ai ka mbyllur procesin penal, detyrohem të kthehem nga Italia. E kemi apeluar në Shkallën e Parë dhe shkalla e parë u shpreh në favorin tonë. Është e nevojshme një hetim i gjerë”, u shpreh babai.
Ai tregon edhe pengun më të madh që i ka mbetur nga kjo ngjarje: “Pengu më i madh është si nuk arrita ta kapja këtë moment që ma infektuan djalin në dyert e pediatrisë. Ishin vetëm dy hapa pas”.
Ndërsa kishte edhe një apel: “Është e nevojshme testimi i të gjithë fëmijëve në periudhën kur ka qenë djali im, Nëntor – dhjetor 2021 janar- shkurt 2022. Një thirrje kam edhe për prokurorinë që të nisë hetimet.