Në vitin 2018 kryeministri Edi Rama promovonte atë që ai e quante “Fundi i Marrëzisë” duke mbyllur të gjitha kompanitë e basteve sportive.
Por kryeministri Rama e ka pranuar se ka dështuar me këtë nismë dhe me sa duket bastet do të rikthehen në vend, më shpejt nga sa ishte parashikuar. Botërori ka rikthyer skedinat, ndërsa nga viti i ardhshëm bastet sportive pritet të legalizohen sërish.
Një telefon është gjithçka të duhet sot për të vendosur baste. Nga komoditeti i pëllëmbës mund të shikosh koeficientët, të plotësosh parashikimet dhe të vendosësh skedinën me shumën përkatëse.
Që nga hyrja në fuqi e ligjit që ndalon bastet, AKEP-it i është kërkuar mbyllja e të paktën 8500 faqeve dhe domaineve. Kush dëshironte të luante pas 1 janarit 2019, për të aksesuar një faqe duhej të instalonte VPN që trukonin vendndodhjen e përdoruesit. Ndërsa pagesa s’mund të bëhej me kartë, por duhej kryer përmes metodave alternative të depozitimit.
Por atje ku nis toleranca apo neglizhenca në rastin më të mirë është se shumë prej atyre faqeve të bllokuara më parë, sot mund të aksesohen sërish lirisht. Nga kompanitë kryesore të basteve në botë, që mund t’i kërkosh shumë thjesht në Google, deri te faqet shqiptare, ku adresa dhe fjalëkalimi të vijnë me anë të një mesazhi.Motori i kërkimit “Google” tregon se terma si “bet365” sot ka shënuar pikun më të lartë të vitit të fundit falë Botërorit.
Të luash është e thjeshtë edhe fizikisht. Këtu hyn roli i ndërmjetësve, persona që shpeshherë gjenden në lokale lagjesh, që hapin dhe menaxhojnë llogari bastesh, kryesisht të faqeve shqiptare të krijuara enkas.Operacionet e policisë së shtetit me tituj si “Basti i Fundit” apo “Fati i Lojërave”, krahas lojës së fjalëve kanë zbuluar se fenomeni është sot i përhapur në çdo cep të vendit.Vetëm vitin e kaluar u proceduan penalisht 203 persona për zhvillimin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit. Nëse rastet e kapura do të përbënin së paku 10% të totalit, atëherë sot në Shqipëri do të thotë se luhen çdo vit 30 deri në 50 milionë euro në baste sportive.Me rikthimin e basteve, qeveria synon të përfitojë taksa nga paratë që shpenzohen gjithsesi për baste