Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami, deklaron se nëse zjarri që përfshiu pallatin 10 katësh në rrugën “Sali Butka’ pranë ish parkut të Autobusëve në Tiranë, do të kishte rënë natën, i gjithi do ishte shkrumbuar.
Teksa ishte i ftuar sot në ‘Reporttv’, ai tha se nëse do ishte natë, do ishte e pamundur që të futeshin brenda.
Kreu i zjarrëfikësve: Po sikur të ishte natë? Si do futeshim?
Pyetje- Nëse do ishte natë ky pallat nuk do ekzistonte?
Kreu i zjarrëfikësve: Dhe ashtu mund të themi.
Çfarë ndodhi një ditë më parë?
Katër apartamente u shkrumbuan në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Flakët dëmtuan pjesërisht edhe 12 banesa, të cilat janë bërë të pabanueshme. Pas ngjarjes së rëndë, banorët e pallatit kaluan natën tek të afërmit e tyre dhe në hotele, ndërsa presin ekspertizën e grupeve të ekspertëve. Shumë banorë i kanë blerë hyrjet me kredi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije elektrike në një pajisje elektroshtëpiake në duplex-in në katin e fundit të pallatit 10 katësh, që është në pronësi të një mjeku. Pas zjarrit në pallatin 10 katësh në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, është shoqëruar në polici administratori i pallatit.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk kishte viktima.