Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili prej qershorit ndodhet në qeli është dënuar sot me 2 vite burg. Ndërsa ALma Kaçi u dënua me 1 vit burg për prostitucion. Gjici ka dhënë dëshminë e tij në sallën e gjyqit ku dhe s’ka mbajtur as lotët.
Gjici ka treguar përplasjet me ish-kreun e Këshillit të Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçin duke pretenduar më tej se ka qenë pikërisht ai që i ka publikuar videon intime me Alma Kaçin të filmuar në zyrën e tij.
Sipas ish-kryebashkiakut përplasjet e tij me Oruçin kanë filluar që në vitin 2019 kur i hoqi rrethimin me kangjella hekuri dhe kur nuk e lejoi që të ndërtonte një objekt pa leje, në afërsi të liqenit të Kukësit.
“Kam disa gjëra shtesë për të thënë përpos atyre që tha avokati. Përplasja ime me Abedin Orucin ka nisur që në vitin 2019 kur unë në cilësinë e kryetarit të bashkisë i hoqa atij rrethimin me kangjella hekuri të sheshit para bashkisë sepse nuk ishte pronë e tij.
Këtë gjë e provova në bazë të dokumenteve në kadastër që ajo tokë nuk ishte e Abedin Orucit. Bëhet fjalë për 9.3 dynym tokë. Po ashtu unë nuk kam lejuar që Abedin Oruci të ndërtojë një objekt pa leje në afërsi të liqenit të Kukësit”, ka thënë Gjici, teksa më tej ka bërë me dije se me ish-kreun e Këshillit ka pasur edhe përplasje fizike. Ndër të tjera, kryebashkiaku ka vijuar me akuzat duke thënë se ka qenë pikërisht Oruçi ai i cili ka paguar Alma Kaçin për ta futur në kurth.
“Po ashtu me Orucin kam pasur edhe përplasje fizike ditën që ka qenë Kukës ambasadorja holandeze. Kam bërë kallëzim për Oruçin, 5 akuza ka pasur në ngarkim të tij në prokurorinë e Kukësit por kanë arritur që t’i pushojnë. Konflikti mes nesh ka qene i hapur dhe ai e paguajti Alma Kaçin në shenjë hakmarrje pse unë nuk e lashë të zaptonte pronat e Bashkisë dhe të ndërtonte në mënyrë të paligjshme.
Ai ka qene 1 vit e ca ne kërkim për çështjen e ndërtimeve pa leje. Abedin Oruçi me ka sulmuar për shkak të detyrës, që nga 2019 pasi unë skam pas asgjë personale kam bërë vetëm detyrën”, ka shtuar Gjici, teksa më tej tha se shtetësja Alma Kaçi me urdhër të Oruçit i ka dhënë substanca narkotike, për këtë pistë ish-kryebashkiaku ka theksuar se Prokuroria duhet të nisë hetimet.
“Kush me ka dhënë substancë narkotike? Alma Kaçi me bashkëpunëtorin e saj pse këtë fakt nuk e heton prokuroria. Pse Alma pasi bëri videon ja dha Abedin Orucit, pse nuk është hetuar ky fakt, ndërkohë që unë hetohem prej 6 muajsh a thua se kam krijuar organizatë terroriste. Ku është premtimi qe i kam bere unë Alma Kaçit për projektin se nga telefoni im nuk doli asgjë ndërkohë qe ajo kishte komuniku me Orucin. Une i thashë shko tek zëvendësi i Almës, por ajo as aty nuk e dorëzoi.
Ne buxhetin e 2023 ne nuk kishim te parashikuar një gjë ë tillë fond për qentë. Ata me sulmuan pse nuk i lejova të ndërtojnë pa leje dhe të përvetësojnë token. Unë kam marre dënimin më të madh. Dënimi është moral u kërkoj falje familjareve të mijë dhe qytetareve të Kukësit (u përlot). Oruci donte që të iki unë dhe të vinte ne zbatim projektet e tij, shkoni në Kukës dhe shikoni si i kanë zaptuar pronat e bashkisë. Abedin Oruci ndër vite ka pas 25 çështje penale. Unë kërkoj pafajësi, sepse nuk kam shkel asnjë ligj”, mësohet të ketë thënë Gjici ndër të tjera.
Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale si Kryetar i Bashkisë Kukës, akuzohet për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal.
Ndërsa Alma Kaçi, akuzohet për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal.
Prokuroria e Posaçme tha se në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.