Stina e pranverës supozohet të sjellë rigjenerimin dhe lulëzimin e jetës. Ekspertë të shëndetit mendor thonë se krahas depresionit të vjeshtës dhe dimrit ekziston edhe depresioni pranveror.
“Shenjat e depresionit të pranverës janë të tilla, personat fillojnë të vënë re një humbje të interesit dhe kënaqësisë, një rënie të humorit, humbje të interesit për aktivitete, që më parë iu jepnin kënaqësi. Stina e ngrohtë e pranverës mund të shkaktojë një rritje të nivelit të serotoninës dhe ulje të nivelit të melatoninës, e cila është përgjegjëse për gjumin. Pra shkaktohet një çrregullim I gjumit, me pagjumësi masive, e cila më pas mund të bëhet shkak për nervozizëm e deri në depresion.
Një shkak tjetër I depresionit të pranverës janë alergjitë e stinës e krahas kësaj çrregullim I të ngrënit, që mund të shoqërohet herë me oreks të shtuar dhe herë me ikjen e oreksit. Simptoma të tjera janë mbyllja në vetvete dhe shfaqja e dëshirës për të konsumuar pije alkoolike, kafe, cigare apo lëndë narkotike.
Përkundër depresionit pranveror, ne duhet t’I kushtojmë shumë vëmendje dietës ushqimore, mënyrës së ushqyerjes, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët. Të mos I ndalojmë shëtitjet në ajër të pastër. Tani stina e pranverës e nxit aktivitetin fizik. Të dalësh në ajër të pastër është si të oksigjenosh trurin, që ndikon më pas në mirëqenien e shëndetit mendor e fizik të njeriut”, tha mjekja psikiatre Valentina Asabella.