Dëshmitarët ndërtojnë identikitin e të riut që vrau biznesmenin në Tiranë. Flet kunata dhe vëllai i tij

Dëshmitarët okularë të vrasjes së Edmond Papës kanë ndërtuar identifkin e autorit që u fut në lokal dhe qëlloi për vdekje 49-vjeçarin mbrëmjen e 16 dhjetorit. Sipas dëshmisë së tyre, të zbardhur nga “Në shënjestër”, thuhet se autori i vrasjes së Edmond Papës ishte një djalë i ri, me trup mesatar, pak i mbushur, i cili mbante në kokë një kapuç me ngjyrë blu të errët. Ndërsa në duar, ku dalloheshin dorezat e zeza, një armë zjarri tip pistoletë.

Nga krehja e mëtejshme e kamerave të sigurisë, ajo që është konstatuar, është se autori zgjodhi të dalë nga një derë e pasme e lokalit, për të humbur gjurmët midis pallateve të zonës. Gjatë fazës së hetimit, u administruan regjistrimet filmike të kamerave të sigurisë të disa subjekteve private përgjatë itinerarit nga ku mendohet se ka lëvizur autori për të shkuar dhe për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Po kështu u sekuestrua edhe serveri i kamerave të sigurisë që monitoron ambientet e jashtme të banesës së vëllait të viktimës.

“Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë rezulton se rreth orës 16.17, një person i seksit mashkull afrohet në këmbë në trotuarin përpara lokal ‘Green Garden Bar’ ku përballë tij në anën tjetër të rrugës gjendet banesa e vëllai të viktimës. Ky person (autori) qëndron në këmbë me dorën e djathtë të mbledhur në lartësinë e gjoksit për rreth 4-5 minuta dhe më pas futet në ambjentet e brendshme të lokalit dhe vetëm pas pak çastesh shikohet që del prej aty dhe largohet me vrap në drejtim të pallateve të INSIG,”- thuhet në dosje.
Kunata e Edmond Papës, e identifikuar me inicialet A.B., e mësoi vrasjen nga pronari i lokalit ku 49-vjeçari pinte kafe. Në dëshminë e dhënë para hetuesve dhe të zbardhur nga emisioni “Në Shënjestër”, gruaja tregon se shkoi në lokal të shikonte se çfarë kishte ndodhur. Ajo thotë se ka marrë makinën dhe është nisur me kunatin e plagosur drejt spitalit. Përsa i përket ndonjë piste të mundshme, kunata e 49-vjeçarit thotë se Papa (Hoxha) nuk kishte konflikte dhe nuk dinte të drejtonte gishtin ndaj ndonjë personi konkret.

“Më datë 16 Dhjetor 2022 rreth orës 10.00 në shtëpinë time ka ardhur vjehrra e cila quhet F. H së bashku me kunatin tim, i cili quhet Edmond Papa. Vjehrra jeton në Kurjan/ Fier, ndërsa kunati në Kurjan dhe në Sarandë. Ata kanë ardhur në Tiranë me automjetin e kunatit tim me targë AB 001 GG, pasi do të kryenin disa vizita mjekësore të vjehrrës. Rreth orës 16.15, kunati më kërkoi që t’i jepja diçka për të ngrënë mamasë së tij, para se ta çonte për vizitë mjekësore. Unë isha duke i dhënë për të ngrënë vjehrrës, kur dëgjova të shtëna. Fillimisht mendova se mos ishin fishekzjarre. Më pas ra zilja e portës së jashtme. Ishte pronari i lokalit, i cili më tha të lajmëroja ambulancën pasi ishte plagosur Edmondi. Pasi mora ambulancën, mora automjetin e kunatit tim me targa AA 001 GG për ta dërguar në spital. Më pas erdhi policia dhe ambulanca. Nuk kam dijeni se cilët janë autorët. Edmondi lëvizte lirisht dhe nuk na kishte shprehur ndonjë shqetësim. Ai ishte i divorcuar dhe nuk kishte fëmijë. Ishte pronari i një biznesi në Sarandë. As Edmondi dhe as bashkëshorti im Kristo nuk kishin konflikte me ndonjë person,”- ka rrëfyer kunata.

“Edmondi nuk ruhej. Madje te ai nuk kam parë asnjë shqetësim. Por po kështu dua të deklaroj, se ai nuk ka pasur konflikte me askënd, që mund të çonin në dyshimet tona, lidhur mbi autorët e mundshëm të vrasjes së tij,”- tha vëllai i viktimës.

Pronari i lokalit ku u ekzekutua Edmond Papa në Tranë, me inicialet V.SH., ka treguar dteaje nga momenti i ngjarjes, në të cilën ai u bë dëshmitar. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, të publikuar nga emisioni “Në shënjestër”, V.Sh., thotë se ka shkuar në lokalin e tij, ku bëntë dhe banakierin e kamerierin, rreth 14:00. Ai thotë se në momentin që është future autori i krimit, i cili nuk mbante maskë dhe nuk e kishte fytyrën e mbuluar, ka qenë në banak, por nuk i ka kushtuar rëndësi duke menduar se ishte klient.

Pavarësisht të shtënave, pronari i lokalit thotë se fillimisht ka menduar se bëhej fjalë për fishekzjarre. Ai thotë se ka qenë vetë Papa që i ka kërkuar të lajmërojë policinë pasi ishte plagosur, por i kishte dalë sekretaria, ndaj kishte nxituar të lajmëronte familjen e 49-vjeçarit. V.SH., thotë se me kthimin në lokal, bashkë me kunatën e viktimës, kanë tentuar t’i bllokojnë plagët, por bashkëshortja e vëllait të Papës e kishte marrë 49-vjeçarin dhe ishte nisur për në spital, ku dhe ndërroi jetë.

“Më datë 16 Dhjetor 2022 si zakonisht kam shkuar në punë rreth orës 14.00 dhe në lokal ka patur klientë të zakonshëm të cilët vinin aty. Unë kam qenë brenda në lokal dhe po punoja në banak. Në lokal punoj vetëm unë, pasi nuk ka kamerierë. Fillimisht kam dëgjuar zhurmë si shashka dhe kam menduar se po hedhin fishekzjarre. Nga pjesa e banakut ku unë isha, nuk dukej mirë se çfarë po ndodhte. Gjatë kohës që isha në banak, unë pashë një person me kapuç në kokë, dhe asgjë tjetër. Më pas dola nga banaku për tek dera dhe në hyrje të lokalit pashë viktimën që më ka kërkuar të thërras urgjencën, pasi më tha se ishte plagosur. Pasi konstatova ngjarjen, u mundova t’i telefonoja numrit 129 por më doli sekretaria. Ishte ora 16.25. I rashë dy herë këtij numri, por kur pashë që nuk po më përgjigjeshin, më pas shkova tek banesa e viktimës. Aty pasi i kam rënë ziles së derës i kam thënë kunatës së tij që është plagosur vëllai i burrit të saj. Pasi u ktheva në lokal e gjeta të shtrirë viktimën, i cili kërkonte ndihmë. Në këtë moment hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka. Më pas mora një peshqir për t’i bllokuar plagët. Në këtë kohë kunata e tij ishte me telefon në dorë, por nuk e di kë ka telefonuar. Më pas ajo mori makinën për ta transportuar vetë pasi ambulanca po vonohej. Në këtë moment erdhi policia dhe pas saj edhe ambulanca që e transportoi për në spital,”- tregon ai.

Edmond Papa, 49-vjeç dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.

Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *