Dan Hutra kishte sjellje manjaku me gratë dhe vajzat që kishte pranë. Sot, detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga masakra e Paskuqanit, ku Dan Hutra qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëshortes së tij, por nuk u ndal me aq. A2CNN ka siguruar akt-padinë e ish-bashkëshortes së autorit, Elena Hysa, e cila së bashku me të ëmën, mbetën të plagosura sot nga sulmi me armë i Dan Hutrës, por dy gratë e tjera nuk ishin aq me fat dhe dhanë shpirt brenda mjetit.
Dëshmia e saj është vërtet tronditëse, duke treguar disa episode ku është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ky shtetas në ditë të ndryshme si dhe është trajtuar si “skllave”. Shkonte deri aty sa Elena tregonte se Hutra i kërkonte që t’ia hiqte dhe vishte çorapet nga këmba, madje t’i çonte kafen dhe mëngjesin tek koka e krevatit. Madje ka shkuar deri aty saqë e ka dhunuar, edhe në prezencë të mamasë së tij, Mislime Hutrës. Në momentin që ajo ka ikur nga banesa, është fiksuar se do të merrte hak.
“Para disa ditësh ka pasur disa shqetësime shëndetësore dhe së bashku me vjehrrën e saj kanë shkuar në farmaci ku kanë marrë një test shtatzënie. Pasi e ka aplikuar ka rezultuar pozitive dhe menjëherë ka telefonuar Danin për t’i dhënë lajmin. Ai e ka pritur shumë mirë dhe kanë organizuar një darkë familjare ku ka qenë të ftuar të dy familjet. Pas kësaj kanë bërë një eko barku dhe disa analiza. Në mbrëmje Dani ka komunikuar me spitalin ku ka marrë rezultatin e analizave por nuk ka treguar gjë. Në mëngjes Dani i ka thënë “më ke hy në gjak” por nuk i ka treguar arsyen. Ai i kishte thënë familjarëve të tij se Elena ishte e sëmurë dhe jo shtatzënë pasi ato e telefononin për ta pyetur si ishte gjendja e saj. Duke u ndodhur në këtë situatë është larguar nga banesa dhe ka shkuar në banesën e prindërve ku më pas ka vajtur dhe shtetasi Dan Hutra duke drejtuar babait të saj me fjalët “Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia.”
E po ashtu, para se të largohej i ka kërkuar babait të vajzës ti kthente 4 mijë euro, të cilat sipas tij do të mbulonin të gjitha shpenzimet që ishin përdorur për fejesë. Ditën e djeshme nëna e saj, Kujtime Hysa i ka dhënë 1850 mijë euro, por ai nuk është kënaqur me aq, por ka telefonuar sërish duke kërkuar edhe pjesën tjetër të parave. Madje dhe e kishte kërcënuar me fjalë: Nëse nuk m’i gjen, do vij te shtëpia e do ta bëj vendin gjak! Nuk do mbaj kopilin tuaj, do flasin mediat botërore për mua.
E duket se e mbajti fjalën.
Ramazan (Dan) Hutra autori i vrasjes me armë zjarri të 3 grave të mërkurën në kryeqytet është arrestuar nga policia. Hutra është vënë në pranga pas disa orësh në arrati në zonën e Sharrës, në periferi të Tiranës. Dan Hutra vrau me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses. Gjithashtu, plagosi ish-bashkëjetuesen e tij Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe nënën e saj Kujtime Hysa, 60-vjeçe.
Ai dyshohet se është edhe autori i vrasjes së Etleva Kurtit, ditën e sotme në Kamzë. 31-vjeçarja Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim Bucit, në vitin 2018, u gjet e vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së saj rreth mesditës së të mërkurës.