Autobusët e linjës “Green Line”, pjesë e qarkullimit urban të Tiranës, janë përfshirë në dy aksidente të frikshme, pak kohë pasi hynë në funksionim, duke bërë që shumë të pyesin nëse janë brenda standardeve të nevojshme.
Aksidenti i pazakontë i prillit të vitit të kaluar, kur autobusi “Green Line” i linjës së “Unazës” u përplas me një makinë dhe përfundoi në lumin e Lanës, do të ishte shenja e parë që diçka nuk shkon, sa i përket funksionimit të tyre, kjo edhe për faktin se shoferi do të deklaronte në atë kohë se autobusi kishte marrë superxhiro jashtë kontrollit të tij. Megjithatë shoferi i procedua në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Por ditën e sotme, autobusi i të njëjtës firmë u përfshi në një aksident të frikshëm duke marrë para dhjetra makina në një nga zonat më të populluara të Tiranës, te “ura e Bllokut”.
Nga pamjet e para filmike, duket se autobusi nuk ka arritur të frenojë, megjithëse mbetet e paqartë nëse shkak për mosfrenimin është bërë gabimi njerëzor apo degradimi i sistemit të frenimit.
Siç edhe deklaroi një zyrtar i policisë, nuk përjashtohet asnjë mundësi. Autobusët që sillen si fjalë e fundit e teknologjisë, në fakt rezultojnë shpesh të konsumuar nga përdorimi jashtë shtetit. Megjithatë edhe në rastin kur mund të jenë të rinj, këto mjete kanë nevojë për kontrolle sistematike pasi punojnë për 16 orë pa ndërprerje, çka çon në konsumin më të shpeshtë të pjesëve.