E la të fejuarën ditën e dasmës e më pas u martua me një tjetër, Selamiu: E kam patur peng gjithë jetën

Dasma që nisi për të kurorëzuar dashurinë mes një çifti, nuk përfundoi ashtu siç duhet! Pasi Selamiu mori vendimin të mos martohej me vajzën, dhe e la në dasmë me fustan të bardhë, ai i dërgon asaj një lajmthirrje për ta takuar në Tiranë. Aty i shpjegon arsyen e vërtetë që atij iu desh ta stoponte celebrimin.

Sipas Selamiut, vajza nuk ishte në dijeni të asnjë problemi në biografinë e saj. Fatkeqësisht kjo ishte diçka që nuk mund të zgjidhej. Ata u detyruan të ndanin rrugët, ndonëse vajza nuk dëshironte këtë përfundim.

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Selamiu tha se ky ka qenë momenti më i rëndë i tij. Ai u shpreh se kjo ishte një fatkeqësi e kohës dhe se askush nuk kishte faj.

Selamiu gjithashtu tregon në studio të gjithë të vërtetën e ngjarjes. Ai tha se personi që i kishte prishur biografinë vajzës ishte një krushqi i tyre, i cili ishte në aktivitet agjenturor.

Selamiu: Dasma u shpërnda, vajza hoqi fustanin e bardhë, e prekur, e shqetësuar jashtë mase. Unë bëra një lajmthirrje: “Nesër të pres në Tiranë, edhe me njerëzit e tu po të duash”. I  takova dhe më tha ai miku: “Më drejto tek më të lartët, tek eprorët më të lartë që ke ti”. E çova në Ministrinë e Mbrojtjes. E priti menjëherë ministri dhe unë ndërkohë mora vajzën mënjanë. Ky ishte momenti më i rëndë për mua, sepse ishte një vajzë që…

Ardit Gjebrea: Që nuk e meritonte këtë fat.

Selamiu: Po. E kam pasur dhe e kam peng që i kam rënë në qafë asaj vajze dhe gjej rastin, edhe pse i kam kërkuar falje atëherë, gjej rastin t’i kërkoj falje dhe tani publikisht, për atë shqetësim që krijova, se më erdhi rëndë si për motrën time . Të lësh një vajzë me fustan të bardhë, me ëndrra, me dëshira. Por nuk ishte faji im! As i asaj! Ishte një fatkeqësi e kohës. Në rrethanat e sotme…

Ardit Gjebrea: Nuk ndodh.

Selamiu: I thashë asaj vajzës: “Ti je e imja deri në këtë moment dhe ti do jesh. Nga ato thashethemet që ke dëgjuar…”. “Jo”, më tha, “nuk i vë në dyshim. E di kush je”. “Por ka një problem ti vajzë”, i thashë unë, “kur të kam pyetur në fillim nuk më ke treguar, paske një shqetësim dhe nuk më ke treguar”. Ajo nuk dinte.

Ardit Gjebrea: Nuk e dinte fare që kishte këtë problem në biografi?

Selamiu: Nuk e dinte. Atë s’e dija dhe unë, vonë e mora vesh atë arsyen, se nuk ma tregonin. “Kështu që, njeriu juaj ka vajtur tek ministri tani dhe nëse ju do ma zgjidhni këtë problem që unë mos të kem pasoja, ti je e imja. Në qoftë se ashtu, me keqardhjen më të madhe të them që për të mirën time dhe për të mirën tënde, ne të ndahemi këtu. Unë të siguroj”, i thashë, “që fol çfarë të duash, unë do flas veç me respekt për ty tërë jetën. Dhe nuk kam për t’u fejuar e martuar pa të parë ty të lumtur”. Për hir të së vërtetës, ajo nuk ishte dakord që të ndaheshim. “Por meqë erdhi puna kështu”, tha, “të paktën vetëm një gjë do të kisha dashur, të ishim ndarë një javë përpara, mos të vija me fustan të bardhë”. Kisha dhe unë presione njerëzore që “ajo vajza do vrasë veten, do kesh pasoja, do kesh probleme”. Nga ana tjetër familja ime më thoshte që mbaj qëndrimin në fjalën që ke dhënë. Për këto arsye, për të më ruajtur mua shteti, personalisht si fizik, më çuan në ishullin e Sazanit.

Ardit Gjebrea: Në qoftë se mund ta dimë, se tashmë kanë kaluar shumë vite, cila ishte arsyeja? Çfarë kishte kjo vajzë?

Selamiu: Një krushqi i tyre, as në farefis, ishte arratisur dhe ishte në aktivitet agjenturor.

Ardit Gjebrea: Ishte në aktivitet agjenturor të huaj?

Selamiu: Nuk lejohej dhe çdo shtet mendonte që nëpërmjet kësaj vajzës…

Ardit Gjebrea: Mund të mbërrihet ndonjë gjë.

Selamiu: Po.

Pas brengave dhe trishtimit që kaloi me vajzën e parë, shqetësimi i Selamiut ishte se nuk do të gjente ndonjëherë një grua që mos të kishte asnjë problem në biografi. Ama, fati i buzëqeshi sërish!

Ashtu siç kishte emrin, bashkëshortja e tij, Flutura, erdhi në jetën e Selamiut si një simbol i dashurisë dhe transformimit. Ajo ishte shumë mirëkuptuese ndaj sfidave që ai kishte kaluar dhe e përqafoi atë me gjithçka kishte.  

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Selamiu tregon se kur i rrëfeu për herë të parë ngjarjen ‘fatale’ bashkëshortes, kjo e fundit e ngushëlloi duke i thënë se nuk ka asnjë problem, ndonëse për vajzën tjetër i vinte keq.

Ardit Gjebrea: Ta prezantuan apo e njohët vetë?

Selamiu: Jo, ma prezantuan njerëz të mi, që e njihnin nga afër. Në takimin e parë që bëra me Fluturën, i thashë: “Ti vajzë, unë kam një ngjarje, kam një fatkeqësi në jetën time”.

Ardit Gjebrea: Ia tregove?

Selamiu: Po patjetër, ajo ishte e para, ajo më mundonte. Qëndrimi i saj fisnik Ardit më bëri përshtypje dhe më tha: “Më vjen keq për atë vajzën, e vë veten në pozitë të saj. Më vjen keq edhe për juve, për këtë fatkeqësi që keni pasur, por për mua nuk ka asnjë problem”. Kjo më lehtësoi shumë të them të drejtën.

Ardit Gjebrea: Biografinë e kishte në rregull.

Selamiu: Biografinë e kishte në rregull.

Selamiu, ndonëse ndau historinë e tij të trishtë, në emision kishte ardhur për të falënderuar bashkëshorten e tij, pasi asaj i është dashur të bëjë shumë sakrifica, për shkak të punës që ai ka pasur si ushtar.

Flutura ishte gjithmonë aty, në çdo ndryshim që pësonte jeta e Selamiut; ajo adaptohej më së miri dhe gjente gjithmonë një rrugëzgjidhje për të qenë afër bashkëshortit, por edhe për të mbajtur dashurinë gjallë. Ata sot kanë dy djem, të cilët janë ushtarë dhe janë martuar me vajza ushtare.

Ardit Gjebrea: Ju sot keni ftuar Fluturën në program.

Selamiu: Arsyeja që kam sjellë bashkëshorten time është për ta falënderuar dhe për të treguar një mirënjohje. E para është që, si një bashkëshorte ushtaraku, e besoj edhe në publik dhe teleshikuesi, por dhe nga zonjat e nderuara, do ketë ndonjë familje ushtaraku, do më kuptojnë dhe vlerësojnë drejtë për sakrificat që kanë bërë bashkëshortet tona. Këtu, duke falënderuar time shoqe, unë shpreh dhe një mesazh për të gjitha bashkëshortet e shokëve të mi, që kanë qenë shumë të privuara nga jeta civile, nga jeta shoqërore. Ju ka rënë një barrë e rëndë, për të përballuar në raste të veçanta vetë rritjen e fëmijëve, për shkak të mungesave tona të shërbimit, të stërvitjeve. 

Ardit Gjebrea: Unë në fakt pyeta Dorinën, kryeredaktoren, dhe i thashë: “Po mirë, Selamiu erdhi me Fluturën, por pse nuk e thirri dhe atë?”

Selamiu: Ajo do ishte gjëja më e bukur dhe unë do ta bëja me dëshirë, në qoftë se do të gjeja mirëkuptim, por kisha hallin e reagimeve të atyre…

Ardit Gjebrea: Dhe të familjes?

Selamiu: Po. Gjithsesi, kanë kaluar 50 vjet dhe tani ajo është bërë gjyshe, do krijoje shqetësime të…

Ardit Gjebrea: Të panevojshme.

Selamiu: Megjithatë, ata e dinë kush isha, ne e dinim kush ishin ata. Mbetën të dy palët të nderuar, të respektuar nga shteti, nga shoqëria, nga opinioni, nga të gjithë. Kjo ishte një fatkeqësi e jona dhe kaq!

Ardit Gjebrea: Qartë! Por edhe mentaliteti ndoshta, ende nuk është i përgatitur për këtë gjë dhe ju keni hezituar, sepse për shembull, nëse do ta transportonim këtë studio, në Francë po them, ata do ta bënin nuk do e kishin problem. Madje do vinte dhe bashkëshorti, do të të falënderonte që shyqyr që ndodhi kështu, se kjo është e imja sot (fillon të qesh). 

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *