Elsa Lila rrëfen dhimbjen për vrasjen e nënës në ’97: Mezi prisja të mbushja 18 vjeç që të…

Elsa Lila ka rrëfyer detaje nga përjetimi i vrasjes së të ëmës, duke theksuar se ka numëruar ditët që të mbushte 18 vjeç dhe të ‘luftonte’ për të vënë para drejtësisë autorët.

“Të jetojë njeriu për të mbushur 18 vjeç. Unë isha 15 vjeç dhe numëroja, ditët, orët, sekondat që të mbushja 18 të hapja procesin”, tha ajo.

Ajo tregoi gjatë një bisede me Albanon se sapo është bërë 18 vjeç ka marrë avokat dhe ka nisur procedurat ligjore.

“Unë që në moshën 18 vjeçe kam marrë avokat penalist, e di pse? Për mamanë time”, tregoi ajo.

Nënën, violonisten Eva Vishaj, Elsa e humbi në 1997, viti i trazirave; ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës e qëlluar me plumb në kokë.

Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago. Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit.

Duke qenë se ishte e divorcuar, Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”.

Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndersa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën.

Si ndodhi vrasja

Historia e vrasjes së Eva Vishajt, zë fill më 23 maj 1997, kur ajo u gjet e pajetë, e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën vite më vonë dhe, në vitin 2004, Prokuroria akuzoi Albenc Agon si autor të vrasjes.

Ai u gjykua në mungesë dhe më 1 dhjetor 2005, një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni e deklaruan të fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në bashkim të dënimeve, Ago u dënua me 20 vjet burg.

Elsa Lila flet për vrasjen e nënës në "Ferma Vip":

Në këtë vendim, Gjykata e kryeqytetit arsyetonte: “Persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip ‘Mitsubishi’, ngjyrë qielli, që po udhëtonte në drejtim të Rrugës së Elbasanit pikërisht tek Liceu Artistik, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara, fakt që është vënë re nga ana e këtyre dëshmitarëve”.

Pas këtij vendimi, Ago u arrestua në Itali dhe u ekstradua në Shqipëri. Në maj 2008, Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat të dosjes.

Pas një rishqyrtimi të pjesshëm, më 17 dhjetor 2008, Apeli la në fuqi vendimin me 20 vjet burg.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *