Eni ka ndarë me publikun e “Big Brother VIP Albania 2” historinë e familjes së tij, që u shkatërrua për shkak të dhunës që ushtronte babai i alkoolizuar.
Konkurrenti fajëson veten për kërkesën që i bëri para disa vitesh prindërve të tij për t’u ribashkuar.
Problemet që kanë nisur në shtëpinë tonë i kam vënë re kur fillova të rritem dhe të kuptoj. Kur isha 10 vjeç kuptova që familja ime nuk ishte si më parë. Im ati nisi alkoolin, nëna vazhdonte të punonte me mish e me shpirt. Po fillonin të më mungonin gjërat elementare. Më mungonte ngrohtësia e babit.
Zënkat vazhdonin, babi ka tentuar shpesh të ngrejë dorën ndaj nënës, është dashur të ndërhyj unë. Mami është detyruar të abortojë dy herë. Ata nuk e dinë që unë e kam kuptuar. Gjithmonë e kam dashur të kem një motër ose një vëlla, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Mund të ishim bërë një treshe shumë e bukur. Do të ishin forcë e madhe si për mua, edhe për mamin.
Kur isha në klasën e shtatë, vendosëm për t’u ndarë. U larguam nga qyteti i lindjes dhe erdhëm në Tiranë. Doja që prindërit të ishin bashkë. Pa i thënë mamit, një ditë i hipa autobusit dhe shkova në qytetin e lindjes. Kur shkova atje, e njoftova mamin dhe i thashë që nuk mund të rri pa ju. Më pas u ktheva me babin në Tiranë dhe u bashkua me mamin. Çfarë ka ndodhur më pas, shkaktari i gjithë asaj situate jam unë. Nuk e di si mund t’ia shpërblej mamit atë që unë i kam shkaktuar.
Është histori prekëse dhe nëse do të kishte një titull, unë do ta quaja ‘dashuri dhe shpresë’. Dashuria është ajo, ndërsa shpresa është dëshira që unë kisha që babi të ndryshonte dhe të kishim sërish një familje të shëndoshë.
Pas këtij rrëfimi, Eni mori një përqafim të gjatë nga e ëma që e priste në dhomën e surprizave. Mes lotëve, Eni rrënqethi të gjithë kur përshëndeti të atit dhe tha se pavarësisht të gjithave “e dua sepse është babai im”.