“A ka mundësi që grave dhe vajzave tu njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundjeje dhe e paguar, raport i paguar nga buxheti i shtetit”.
Ky është propozimi i deputetit Erion Braçe teksa diskutohej buxheti i ministrisë së shëndetësisë në komisionin e ekonomisë. Në bazë të këtij propozimi, gjatë ciklit menstrual vajzat dhe gratë duhet të marrin ditë pushimi të paguara, duke e konsideruar si një sëmundje.
Por si e vlerësojnë këtë ide mjekët gjinekologë?
“Kjo është një situatë normale e jetës. Është periudha riprodhuese e jetës së një gruaje. Një pjesë e vogël e grave dhe vajzave e ndjejnë dhe e kalojnë këtë periudhë me dhimbje në fund te barkut, ndonjëherë me gjendje hipotermie, gjendje të fikti, ndonjëherë me të vjella por zakonisht sot në të gjitha tregjet e botës dhe në tregun farmaceutik shqiptar ka medikamente të cilat lehtësojnë këtë situatë dhe bëjnë që periudha e menstruacioneve të kalojë më se normale. Pra kjo nuk konsiderohet sëmundje por një gjë normale”, tha Mimoza Keta, mjeke obstetër-gjinekologe.
Spanja është vendi i parë ne Evropë që ka miratuar me ligj ditët e pushimit të paguara për vajzat dhe gratë për shkak të dhimbjeve të forta nga cikli menstrual. Tashmë diskutimet kanë nisur dhe në vendin tonë, por duhet parë nëse ligjvënësit do ta marrin në konsideratë.
“Nëse do të realizohet unë mendojë që duhet marr një përshkrim nga mjeku gjinekolog qe vlerëson gjendjen dhe jep një përshkrim që po është e nevojshme për disa ditë pushim, kjo për të ulur abuzimin”, tha Keta.
Një tjetër propozim i deputetit Brace është dhe heqja e Tvsh për produktet higjienikë që vajzave dhe grave iu nevojiten gjatë ciklit. Ndërsa mjekja nga ana tjetër sugjeron që në shkolla të ketë dhoma të posaçme higjienike për vajzat.
“Ka ardhur koha që kjo të jetë një detyrim për tu bërë dhe unë them që në të gjitha këto dhomat higjenike të vendosen tampona apo lines, t’i kenë falas vajzat dhe gratë që janë nëpër shkolla”, tha Keta.
Krahas Spanjës, leja menstrual ofrohet nga shumë pak vende të botës, vetëm nga Indonezia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zambia./ Top Channel