Policia e Shtetit ka vendosur një shumë prej 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm i cili do të çojë në gjetjen e Daut Lazes, 49-vjeçarit i cili u arratis nga burgu u Shënkollit.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë e shtetit kanë theksuar se 49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe për këtë arsye kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, për çdo të dhënë në lidhje me vendndodhjen e tij.
“Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e këtij shtetasi. Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky shtetas gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme arriti që të arratisej nga burgu i Shënkollit në Lezhë, aty ku vuante dënimin.
Sipas informacioneve të bëra me dije deri më tani, Laze vuante nga problemet e shëndetit mendor dhe se mungesa e tij në burg u konstatua ketë të martë pasi mungoi në apelin e mëngjesit.
Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se Laze ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit.
Aktualisht, autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, sakaq për ngjarjen është njoftuar SHKBB dhe po punohet intesivisht në bashkëpunim me strukturat e policisë për kapjen e tij.
Laze ka rënë në prangat e Policisë më 16 nëntor 2021. Më 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”.
Njofitmi i plotë i Policisë së Shtetit:
Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, se në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor, Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit, shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për gjetjen e tij.
Sqarojmë se shtetasi Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”.
49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, prandaj kërkojmë ndihmën e qytetarëve, për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, për çdo të dhënë në lidhje me vendndodhjen e tij.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit.
Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e këtij shtetasi. Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.