“Eshtë kthyer në fortesën e tij”, kush ishte personi që vuri në lëvizje policinë për Ervis Martinajn?

Një telefonatë e përgjuar nga burgu i Peqinit është kapur nga “radarët” e Policisë së Shtetit. Flitej për të shumëkërkuarin e të zhdukurin prej 6 muajsh, Ervis Martinaj! Nuk dihet se kush, por një person e kishte përmendur në bisedë duke lënë të kuptohet se ishte kthyer në ‘fortesën’ e tij në fshatin Fushë Kuqe të Kurbinit. Pa humbur kohë, Policia e Shtetit ka kryer kontrolle dhe ka zbuluar e sekuestruar armë dhe municion luftarak, që ishte i fshehur në kosheret e blertëve në pronën e familjes Martinaj, përfshirë edhe në ato të dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt.

Dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin në shtëpi në momentin kur u kryen kontrollet, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Arsyeja nuk dihet? Edhe pse u gjetën armë, sërish nuk pati të shoqëruar, ndërkohë që mister mbetet edhe emri i pronarit të municioneve dhe se për çfarë do të përdoreshin. Më e rëndësishme, kundër kujt? Gazetarët e kronikës, kanë bërë paralajmërimin se familjarët po përgatiteshin për hakmarrje, ndërkohë që nga familja nuk ka asnjë koment lidhur me aludimet në media.

Por një tjetër e panjohur është fakti se nuk dihet emri i personit që ka folur për Martinajn. I dënuari për vrasje në burgun e sigurisë së lartë të Peqeinit, ka bërë kërkesë për të regjistruar në numër në listën e telefonatave. Administrata e burgut ka marrë në pyetje të dënuarin dhe ai ka thënë se numri që ka kërkuar të regjistrohej ishte i një të afërmi. Por pas hetimeve rezultoi se ishte e pavërtetë se i përkiste një të afërmi të tij, në të vërtetë kishte telefonuar familjarët e Martinajt.

Dje, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndodnjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur. Ish-efektivi Jeton Lami është tentuar të merret në pyetje shumë herë, por nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve. Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *